“Një biletë aeroplani e bën ndryshimin në Kosovë”

VV shpjegon procedurat e votimit jashtë vendit

Faton Topalli nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, iu bëri thirrje kosovarëve që jetojnë në mërgatë të dalin në votim në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 11 qershor.

Ai gjithashtu i përmendi edhe mangësitë dhe problemet që përballën votuesit jashtë Kosovës, duke bër thirrje që këto probleme të evitohen. Kërkoi që të rregullohen edhe E-mailat e KQZ-së në mënyrë që të mos kenë probleme gjatë procesit të votimit.

“Është detyra jonë që të bëhet një zgjedhje për mërgatën”, tha Topalli gjatë një konference për media.

“I ftojmë të gjithë mergimtarët të vijnë në Kosovë ata që janë afër, ndërsa ata që janë larg të votojnë përmes aplikacioneve”, shtoi Topalli.

Ai duke e ftuar mërgatën në votim tha se një biletë aeroplani e bën ndryshimin në Kosovë.

Ndërsa sa i përket koalicionit të mundshëm parazgjedhor Faton Topalli tha se VV-ja do të organizojë konferencë të veçantë për këtë çështje, shkruan rtv21.tv

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë të ditur edhe hapat që duhet ndjekur për t’u regjstruar si votues jashtë Kosovës:

– Letërnjoftim apo pasaportë të Republikës së Kosovës
– Kompjuter me qasje në internet
– E-mail adresë për të dërguar dhe pranuar emaila
– Printer apo mundësi për të shtypur formularin
– Skener apo telefon me kamerë qe të mund të fotografoni formularin

Hapat që duhet ndjekur për të aplikuar:

1. Shkarkoni formularin e aplikimit për votim jashtë Kosovës nga linku: http://www.kqz-ks.org/Uploads/Documents/1_lvjjbwbauk.pdf

2. Shtypni formularin e shkarkuar. Për ta hapur formularin ju duhet të keni të instaluar programin Adobe Reader në kompjuterin tuaj. Atë mund ta shkarkoni falas dhe instaloni nga https://get.adobe.com/reader/.

3. Plotësoni formularin me të dhënat e juaja. Shkruani qartë dhe me shkronja të shtypit. Ne fund e nënshkruani formularin.

4. Skenoni apo e fotografoni me telefon mobil formularin e plotësuar dhe nënshkruar. Kur e fotografoni i kushtoni kujdes qe i tërë formulari të jetë i dukshëm dhe i lexueshëm.

5. Skenimin apo foton e formularit e bashkangjiteni me kopjen e letërnjoftimit apo pasaportës së Kosovës (faqen e të dhënave personale) dhe së bashku i dërgoni nga email adresa juaj personale në adresën ovpp@kqz-ks.org.

6. Nëse dokumeti i Republikës së Kosovës (apo UNMIK-ut) që e keni është i skaduar, në email e bashkangjiteni edhe kopjen e një dokumenti identifikues valid (letërnjoftim apo pasaportë) të shtetit ku aktualisht jetoni.

Formularin duhet ta dërgoni më së largu me 22 maj 2017.

 

Back to top button