“Një ditë pas themelimit të komisionit hetimor, KEK-u anulon konkursin…”
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka komentuar vendimin e anulimit të konkursit për punësim në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Çitaku, përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se kjo ka ndodhur një ditë pas themelimit të komisionit hetimor për menaxhimin e krizës energjetike nga ana e PDK-së, ku pritej të hetoheshin edhe punësimet në KEK.
“Rezultatet e themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar tashmë po vërehen. Vetëm një ditë pas themelimit të komisionit, KEK-u anuloi konkursin përmes së cilit u punësuan shumë militantë të VV-së”, ka shkruar Çitaku.
Sot është anuluar konkursi i disa javëve më herët i Korporatës Energjetike të Kosovës për plotësimin e 150 pozitave të lira të punës, e për të cilin pati dyshime për dallavere në punësimin e më shumë se 100 personave.
Ky vendim është marrë pas rekomandimit nga komisioni i pavarur për vlerësimin e procesit të rekrutimit./21Media