Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit R. H., ndërsa ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj N. H., duke caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaj.

Ekziston dyshimi i bazuar se më datë 04.06.2020, i pandehuri N. H. shkon në shtëpinë e të dëmtuarës V. Sh. dhe e godet në kokë dhe duar, ku ka qenë prezent edhe i pandehuri R. H., ku ky i fundit në prezencë të fëmijëve ka kapur për fyti të dëmtuarën (bashkëshorten) duke e ngre zvarrë dhe e nxjerrë nga shtëpia, duke i thënë ‘që nuk mund të qëndrosh këtu, sepse je e padëshiruar’.

Me këto veprime i pandehuri R. H. dyshohet të ketë kryer veprën penale “dhunë në familje”, ndërsa i pandehuri N. H. dyshohet të ketë kryer veprën “lëndim i lehtë trupor”, vepra të sanksionuar me Kodin Penal të Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, R. H., ndërsa ka konsideruar se ndaj të pandehurit N. H. duhet të caktohet masa e arrestit shtëpiak, pasi që kjo masë nuk do të pengojë zhvillimin normal të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.