Kaloni te përmbajtja kryesore

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për plagosjen e dy serbëve në Shtërpcë

(Lajm i përditësuar)

Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur konform propozimit të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Azem Kurtajt, i dyshuar për plagosjen e dy personave në Shtërpcë.
Gjykata vendosi që kohëzgjatja e paraburgimit të jetë një muaj.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 6 janar 2023, në një fshatë të Komunës së Shtërpcës, me dashje ka tentuar që t`i privoj nga jeta të dëmtuarit M.S. dhe S.S., në atë mënyrë që derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij dhe me të arritur në hyrje të fshatit, vëren disa qytetar në skaj të rrugës dhe me qëllim që t`i largon, i njëjti bie borisë, në pamundësi që të lëviz tutje e ndal veturën dhe pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty e nxjerr revolen dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasoj e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin në Graçanicë. Gjithashtu, në kohë dhe vende të përshkruar si më lartë i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka përdorur armë me leje, në atë mënyrë përderisa ka qenë në veturën e tij, ka shtënë në drejtim të të dëmtuarve M.S. dhe S.S., e që si pasoj e goditjeve të njëjtit pësojnë lëndime trupore, me ç` rast me rastin e kontrollit të kryer nga ana e Policisë së Kosovës, arma së bashku me dy karikator dhe 35 cipë fishekë i sekuestrohen”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.
Ekziston dyshimi i bazuar se më 6 janar 2023 në Komunën e Shtërpcës, i pandehuri me përdorimin e armës ka shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që me veturën e tij në pamundësi që të kyqet në rrugën që dërgon në Qendrën e Skijimit, i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës dhe me revole shtënë pesë herë në ajër.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.
Avokati thotë se ushtari i FSK-së shkrepi në tokë e në ajër për vetëmbrojtje
Ushtari i FSK-së, A.K., që akuzohet se të premten në Shtërpcë plagosi dy të rinj serbë, në mesin e tyre edhe një 11-vjeçar, thotë se ai shkrepi me armë në vetëmbrojtje.
Avokati i tij, Naim Ferati, ka thënë se klienti i tij kishte qenë duke udhëtuar për në Brezovicë, kur vetura e tij ishte rrethuar nga një turmë e njerëzve që po festonin. Ai thotë se vetura e tij u sulmua me mjete të forta, dhe në tentim për të shmangur sulmin “ai kishte shkrepur me armë në tokë dhe në ajër”.
“Të premten i mbrojturi im derisa po udhëtonte me një shok të tij për të drekuar në Brezovicë, të njëjtit gjatë rrugës ishin ndaluar nga një turmë e qytetarëve të cilët po festonin në rrugë dhe të cilët e kishin bllokuar veturën e të mbrojturit tim dhe në mënyrë të befasishme e kishim sulmuar me mjete të forta, konkretisht me drunj”, ka thënë avokati A.K., Naim Ferati.
“I gjetur në këto rrethana, e duke u ndier i rrezikuar nga sulmi serioz i turmës së njerëzve, i njëjti me qëllim të largohet nga aty kishte nxjerr revolen dhe duke e mbajtur në pozitë të ulët e duke mos e drejtuar ndaj asnjërit person, kishte shkrepur fillimisht në tokë e pastaj në ajër. Dhe nga ky moment i njëjti ishte larguar në Prevallë pa e kuptuar se nga ngjarja kishte të lënduar”, ka thë ai.
Ferati ka thënë se me të kuptuar se ka të plagosur, i njëjti ka njoftuar familjarët e tij dhe po ashtu Policinë e Kosovës.
“Nga kjo kuptohet qartë se i mbrojtur im nuk ka pasur asnjë qëllim që të qëllonte apo lëndonte ndonjë qytetar, por e gjithë ngjarja ishte zhvilluar në vetëmbrojtje. Ky vlerësim i mbrojtjes vërtetohet edhe nga vetë nëna e 11-vjeçarit të lënduar, znj. Zorica Stojanoviq, që në deklarimin e paraqitur për mediat në gjuhën serbe, tha se ‘nuk ka qëlluar në drejtim të tyre, por në asfalt”, ka thënë Ferati.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button