Një muaj paraburgim pronarit të kazinosë në Karaçevë

 

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit me inicialet D. H.

Ai dyshohet se ka organizuar lojëra të fatit në kundërshtim me ligjin.

“Ekziston dyshimi i bazuar se prej muajit shtator 2019 e deri me datë 18 shtator 2020, në lokalin “Automate Club”, e cila ndodhej në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, i pandehuri, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror e në kundërshtim me Ligjin e lojërave të fatit 06/L-155, në mënyrë të kundërligjshme ka organizuar lojërat e fatit, ashtu që ekzistojnë rrethana të mjaftueshme për të treguar se nëse i pandehuri gjendet në liri, i njëjti do ta përsërisë veprën penale apo mund të kryejë ndonjë vepër tjetër penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Me këto veprime të pandehurit dyshohet të ketë kryer veprën penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Tutje thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, ndërsa masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​/21Media

Back to top button