Një nigeriane thyen rekordin botëror për kohën më të gjatë të gatimit
Nigeriania Hilda Bassey u bë sensacion botëror. Ajo arriti të gatuaj për 100 orë nonstop me synimin për thyerje të rekordit botëror në këtë kategori. Dhe këtë e arriti.
Kjo kuzhiniere e cila në mediet sociale është e regjistruar si Hilda Baci, me gatim vazhdoi për 100 orë, ndërkaq gjatë këtyre orëve përgatiti 100 lloje ushqimesh.
Kjo ishte pjesë e sesionit të maratonës së gatimeve nga kuzhina nigeriane.
Rekordin e deritanishëm në këtë kategori e ka mbajtur kuzhinierja hinduse Lata Tondon, për gatim për 87 orë e 45 minuta. Ajo këtë rekord e theu në vitin 2019.
Rekorderja e re Baci, për CNN ka thënë se me këtë rekord ka një qëllim, e ai është të vë në hartë edhe ushqimet Nigeriane.
Sipas saj, ushqimet nigeriane janë më të mirat.
Edhe pse ajo mbeti pa gjumë për shkak të përgatitjes së ushqimeve për 100 orë, Baci dukej me disponim të mirë.
Hilda Baci ka thënë se dita e parë ishtë më e vështirë, se ka dashur të heqë dorë pas gjashtë orësh përgatitjeje, por sikur i ka ndodhur një mrekulli dhe se më pas ka vazhduar pa problem gatimet.
Hilda Baci ka thënë se edhe përkrahësit i kanë ndihmuar shumë, e madje ka pasur prej atyre që kanë shkuar në kuzhinën ku ajo ka përgatitur, në Lagos.
Përgjegjës të librit të rekordeve botërore Guinness ende nuk e kanë konfirmuar rekordin e Bacit, andaj mbetet ta konfirmojnë./21Media