Opozita e kritikon Kurtin për “propagandë”

Partitë në opozitë e kanë cilësuar propagandë pohimin e kryeministrit Albin Kurti për rritje të të ardhurave për kokë banori në një periudhë prej dhjetë vjetësh. Kurti citoi Bankën Botërore për zhvillimin e Kosovës brenda dekadës. Njohës të çështjeve ekonomike thonë se meritat për zhvillim në Kosovë i kanë të gjitha qeverisjet e dhjetë vjetëve të fundit.

Kryeministri Kurti, është mburrur me një raport të nxjerrë nga Banka Botërore, për uljen e varfërisë në Kosovë. Kurti tha se sipas Bankës Botërore, Kosova ka rritur të ardhurat për kokë banori për 50%, krahasuar me 10 vjetët e kaluara.

“Lavdërime të larta për Kosovën nga Banka Botërore këtë javë. Sipas këtij institucioni, krahasuar me 10 vjet më parë Kosova ka rritur të ardhurat për kokë banori për 50% dhe ka ulur shkallën e varfërisë për 35%, “duke tejkaluar vendet e ngjashme me të ardhura të ngjashme për kokë banori, ka shkruar ai.

Por, opozita e cilësoi gjithë këtë pohim të Kurtit si një lloj propagande. Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në një përgjigje me shkrim për RTV21 e fajësoi qeverisjen Kurti për, siç tha, një numër dështimesh në shumë fusha.

“Është për keqardhje që kjo qeveri me të gjitha nivelet e pushtetit, ka hy në vitin e tretë të qeverisjes dhe në mungesë të një rezultati të vetëm ngelë te kuzhina e propagandës e cila nuk po shitet më. Sa për kontributin në zhvillim të kësaj qeverie e dimë të gjithë : janë rritë çmimet e të gjitha produkteve, në veçanti atyre që i përdorim në baza ditore me mbi 50%, kemi pasë ngritje të çmimit të energjisë elektrike mbi 100%, pagat nuk janë rritë, ikja e qytetarëve është enorme, andaj pyetja është cili është kontributi i këasj qeverie?”, tha ajo.

Për koordinatorin e departamentit për financa nga PDK, Arben Mustafa, në dy vjet të qeverisjes Kurti ka ngecje në projektet kapitale, përveç fushave të tjera ku sipas tij ka pasur rënie.

“Përpos që mundohet ta zbehë progresin që ka ndodhur në Kosovë gjatë 10 vjetëve të fundit ai mundohet që këtë progres të ia atribuoj vetës së tij, gjë e cila nuk qëndron për shkak që nëse e shohim se çka ka ndodhë gjatë 2 viteve të fundit e shohim se pikërisht investimet kapitale të cilat nga raporti i Bankës Botërore, vlerësohen si një kontribuues shumë i rëndësishëm në progresin ekonomik të Kosovës, në këto vite të fundit gjatë qeverisjes se Kurtit këto kanë shënuar nivelin më të ulët ndonjëherë… raporti i Bankës Botërore në mënyrë të veçantë vlerëson rolin e investimeve kapitale… dihet se investimet më të mëdha kapitale kanë ndodhur gjatë qeverisjes së PDK-së”, tha ai.

Nohësi i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadiku, thotë se meritat për ndryshime në një dekadë kanë të gjitha qeverisjet e një dekade të fundit. Por, sipas tij shqetësuese mbetet fakti i ikjes së fuqisë punëtore.

“Këtë rritje ekonomike në vitet e fundit mund t’ua faturojmë si të them të gjitha qeverive që e kanë qeverisur Kosovën, kjo nuk ka ndodhë brenda një viti po gjatë një periudhe të gjatë kohore…krahas problemeve tradicionale këto viteve të fundit ka filluar ikja në masë të madhe e popullatës, në tregun ndërkombëtar të punës e ajo që është shqetësuese ika e njerëzve me kualifikime të larta të cilët e kanë mbajtur barrë zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe ky varfërim i ofertës së punës do të krijoi probleme të mëdha në periudhën e ardhshme”, tha ai./21Media

Back to top button