Një person është lënduar nga shpërthimi në ambasadën e Ukrainës në Madrid
Një punonjës në Ambasadën ukrainase në Madrid ka pësuar lëndime pasi hapi atë që mendohet se ishte një letër bombë të mërkurën, duke bërë që Kievi të paralajmërojë të gjithë diplomatët e tij që të rrisin masat e sigurisë.
Oleh Nikolenko, zëdhënës në Ministrinë e Jashtme të Ukrainës, ka thënë se Ambasada e saj në kryeqytetin spanjoll kishte pranuar një zarf si pjesë e një dërgese postare.
“Gjatë hapjes, zarfi shpërtheu në duart e menaxherit të ambasadës”, tha Nikolenko për Associated Press të mërkurën. “Menaxheri ka marrë lëndime të lehta, është shtruar në spital dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Jeta e tij nuk është në rrezik”. Ai tha se asnjë punonjës tjetër i ambasadës nuk ishte lënduar.
Sipas Mercedes Gonzalez, përfaqësuesi i qeverisë spanjolle në Madrid, letra, e cila nuk u skanua, i shkaktoi punonjësit “një lëndim të lehtë në gishtin unazor të dorës së djathtë”.
Ndërkaq, ekipet e forenzikës dhe të inteligjencës spanjolle janë duke e hetuar incidentin, derisa një hetim do të kryhet edhe nga Gjykata e Lartë e Spanjës.