Një vit qeverisje Kurti 2, vendoset tortë para objektit të Qeverisë

Në njëvjetorin e formimit të Qeverisë Kurti 2, Partia Socialdemokrate (PSD) mbajti sot një aksion simbolik duke vendosur një tortë me mbishkrimin “Qeveria: Let them eat cake” para objektit të ekzekutivit vendor.
Anëtarja e kryesisë së PSD-së, Donjetë Demolli tha se aksioni mbahet në shenjë pakënaqësie me punën e deritanishme të Qeverisë Kurti 2, për shkak të të cilës ka një numër të madh të qytetarëve e mjekëve që po largohen nga vendi si rezultat i kushteve të rënda të jetesës.
“Kushtet e punës vazhdojnë të jenë të rënda në Kosovë. Këtë më së miri e tregon shifra e lartë e qytetarëve që çdo ditë aplikon për viza pune në vende të tjera. Vetëm për një muaj rreth 50 mijë qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për të emigruar nga Kosova. 20 mjekë kanë aplikuar dhe janë larguar nga vendi vetëm muajin e kaluar, paga e sektorit publik është e njëjtë… Të gjitha punët publike në Kosovë janë të bllokuara, ndërkohë që Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit mbetet jofunksional. Faturat e energjisë elektrike të papërballueshme. Korporatat private me fitim. Ndërsa të gjitha këto probleme e probleme të tjera e karakterizuan vitin që lamë pas, Qeveria thotë se Kosova po shënon rritje të pashembullt ekonomike”, tha Demolli.
Demolli gjithashtu tha se Qeveria Kurti po e lavdëron veten, por po i harron preokupimet e qytetarëve, si dhe gjendjen e tyre të rëndë ekonomike.
Me thënien e famshme të mbretëreshës franceze, Marie Antoinette, kur asaj i thanë se populli nuk ka bukë të hajë, ajo u tha “le të hanë tortë”, Demolli kujtoi dhe krahasoi me atë se si kryeministri i Kosovës kishte thënë “mbulohuni me batanije” në kohën kur vendi po përballej me krizë të energjisë elektrike.
Qeveria Kurti 2 u formua më 22 mars 2021, pasi Lëvizja Vetëvendosje, lider i së cilës është kryeministri aktual Albin Kurti./21Media
 

Back to top button