Njerëz që bërtisnin dhe trupa kudo, pasojat e tmerrshme të sulmit në Mianmar

Të afërmit po rikuperojnë ende trupat e djegur dhe gjymtyrët e viktimave të vrarë në sulmin ajror ushtarak në një fshat në qendër të Mianmarit të mërkurën, një ditë pas sulmit më vdekjeprurës në vend që kur junta mori pushtetin në një grusht shteti dy vjet më parë.

Një dëshmitar okular, i cili u fsheh në një tunel gjatë sulmit, përshkroi një skenë tmerri teksa i afrohej vendit të sulmit ajror ushtarak – të fëmijëve që vdisnin, grave që bërtisnin dhe trupave të grumbulluar në tokë.

Të paktën 100 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë pasi junta ushtarake e Mianmarit bombardoi qytezën Kanbalu në rajonin qendror Sagaing të martën, sipas grupit aktivist Kyunhla, i cili ishte në vendngjarje. Grupi tha se të paktën 20 fëmijë u vranë në sulm dhe 50 njerëz u plagosën.

Rreth 300 njerëz ishin mbledhur në fshatin Pazigyi herët të martën në mëngjes për të festuar hapjen e një zyreje të administratës lokale, tha një dëshmitar okular për CNN në kushte anonimiteti, sepse i frikësohet ndëshkimit.

Familjet kishin udhëtuar nga fshatrat përreth për ngjarjen, ku ofrohej çaj dhe ushqim dhe që përkoi me fillimin e festimeve të Vitit të Ri Thingyan.

Ashtu si pjesa më e madhe e Sagaing, zona nuk është nën kontrollin e juntës ushtarake. Zyra e re e qytetit po hapej nën autoritetin e Qeverisë së Unitetit Kombëtar (NUG) në hije, për popullin, si pjesë e rezistencës kundër juntës.

“Ne nuk patëm asnjë paralajmërim”, tha dëshmitari okular. “Shumica e fshatarëve ishin brenda ngjarjes, kështu që ata nuk e vunë re avionin”.

Pak para orës 8 të mëngjesit, një avion i juntës bombardoi fshatin ku po mbahej ceremonia, raportuan dëshmitarët okularë dhe mediat lokale. Një helikopter Mi35 më pas qarkulloi dhe qëlloi mbi fshatin disa minuta më vonë.

Back to top button