Njerëzit kanë filluar të ikin nga Mariupoli përmes korridorit të evakuimit

Këshilltari i zyrës së kryebashkiakut në qytetin e Mariupolit, Petro Andriushchenko ka thënë se civilët më në fund janë në gjendje të dalin nga qyteti përmes një korridori evakuimi dhe të shkojnë drejt qytetit të Zaporizhzhia, i cili është nën kontrollin e Ukrainës.
Andriushchenko tha se që nga ora 13:00 me orën lokale (07:00 ET) “kemi konfirmim për regjimin e armëpushimit” në një korridor evakuimi për “transport privat përgjatë rrugës: Mariupol – Melekine – Portovske – Mangush – Berdiansk – Zaporizhzhia.”
Berdiansk është nën kontrollin rus.
“Deri tani, më shumë se 50 makina private kanë kaluar tashmë Berdiansk dhe po lëvizin drejt Zaporizhzhia”, ka thënë ai.
“Për momentin, nuk ka vështirësi në kalimin e pikave të kontrollit, por ne nuk mund të garantojmë zyrtarisht sigurinë në këtë korridor. Por ky është i vetmi korridor që ka miratim zyrtar dhe që funksionon sot”, ka shtuar më tutje ai.
Këshilli i qytetit të Mariupolit thotë se ky korridor i gjelbër është gjysmë zyrtar dhe nuk garanton sigurinë e njerëzve që vendosin ta përdorin atë. Për më tepër, vetëm personat që kanë automjete personale mund ta përdorin atë. Ky korridor nuk është për autobusë.
Sipas këshillit të qytetit, 160 makina dolën nga Mariupol dhe kaluan Berdyansk. Informacioni i fundit në lidhje me të ishte në orën 15:00 me kohën lokale (9 paradite ET).
Mariupol ka një popullsi prej rreth 400,000. Nuk dihet se sa njerëz u larguan përpara pushtimit rus dhe rrethimit të qytetit.
Qyteti ka pësuar një shkatërrim të madh dhe autoritetet ukrainase thonë se më shumë se 2,500 njerëz janë vrarë. /21Media

Back to top button