NjSI-ja dhe Sindikata e Policisë, dalin me 14 kërkesa për Qeverinë

(Lajm i përditësuar)


Pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese dhe Sindikata e Policisë kanë dalë për të protestuar të shtunën para qeverisë.

NjSI-ja dhe Sindikata janë duke protestuar për shkak të pagave, shtesave të rrezikshmërisë, sigurimeve shëndetësore dhe kërkesave të tjera.

Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë, tha se janë mbledhur për t’i paraqitur kërkesat e të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovë drejtuar Qeverisë.

Ai tha se ka pasur takime e i janë dërguar shkresa zyrtarëve të shtetit, si dhe peticionin me rreth 5700 nënshkrime, për çka tha se ende nuk kanë marrë përgjigje.

Zeqiri tha se kanë 14 kërkesa ndaj qeverisë:

1. Përmirësimi i kushteve të punë në përgjithësi, siç janë, veshmbathjet, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore duke pasur parasysh se disa objekte policore dhe automjete, si dhe pajisje tjera të domosdoshme për kryerjen e detyrave zyrtare, nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë.

2. Rrezikshmëria për zyrtarët policorë të jetë permanente dhe mos të varet vetëm nga një vend apo lokacion i caktuar, si dhe kërkojmë që shtesa për rrezikshmëri në punë të jetë nga 25 deri në 50% e pagës bazë dhe të formohet një komision që do të bëjë rivlerësimin e nivelit dhe kategorizimin e shtesave për rrezikshmëri.

3. Përfshirja e njësive të caktuara në shtesën për kushte të tregut të punës.

4 ligji për pensionim në moshën 55-vjeçare, e njëjtë me ligjin e FSK-së.

5. Sigurimi jetësor dhe rritjen e fondit në buxhetin e policisë për shërbimet shëndetësore me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për barna dhe shërbime tjera.

6. Invaliditeti i pjesëtarëve të PK-së të cilët janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kërkojmë të krijohet një fond apo caktohet një shumë e mjeteve financiare për shkallën e invaliditetit.

7. Përfshirja e stafit civil në shtesën për punë specifike.

8. Shujta ditore për të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës, për të gjithë e barabartë.

9. Pagesa e udhëtimit për ata që udhëtojnë larg nga vendbanimi deri në punë.

10. shtesa për fundvit e vlerës së një page për të gjithë ata që kanë treguar performancë të mirë gjatë tërë vitit.

11. Rikthimi i përvojës së punës për vite në 0.5 siç ka qenë, po ashtu edhe njohja e kualifikimit shkollor.

12. Të rikthehen tri pagat përcjellëse për zyrtarët që pensionohen.

13. Të lejohet një pagë për të gjithë pjesëtarët e policisë që mund të kenë një rast vdekje në familjen e ngushtë.

14. Përkujdesja për mirëqenien e familjeve të pjesëtarëve të policisë së Kosovës që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare apo janë lënduar. Si psh, shkollimi i fëmijëve, punësimi i njërit nga fëmijët apo anëtarë nga familja e ngushtë, sigurimi i vendbanimit nëse nuk kanë.


Njësiti Special Intervenues proteston para Qeverisë

Njësiti Special Intervenues (NJSI) dhe Sindikata e Policisë së Kosovës kanë nisur protestën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Kjo është hera e dytë që Njësiti Special Intervenues proteston dhe shpalos kërkesat e tyre për shtesat për rrezikshmëri.

Ata kishin protestuar para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës më 1 nëntor, duke kërkuar ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.


​NJSI sot proteston para Qeverisë

Njësiti Special Intervenues (NJSI) dhe Sindikata e Policisë së Kosovës sot do të mbajnë një protestë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke filluar nga ora 12:00.

Sindikata e Policisë së Kosovës ka konfirmuar se gjatë protestës do të bëhen të ditura edhe kërkesat e tyre.

Pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës më 1 nëntor, duke kërkuar ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.

Një tjetër protestë u paralajmërua për datën 7 nëntor 2023, por policia e pezulloi atë përkohësisht, pasi kryeministri Albin Kurti u premtoi atyre takim zyrtar për t’i diskutuar kërkesat e tyre dhe për të gjetur një zgjidhje.

Përfaqësuesit e NJSI u takuan me Kurtin në mes të nëntorit, por nuk arritën marrëveshje për shkak se kreu i ekzekutivit nuk pranoi të tërhiqet nga pozicioni i tij në raport me kërkesat e tyre.

Sipas propozimit të Qeverisë, shtesat për NJSI-në janë rreth 150 euro, ndërsa në kërkesë policët kanë thënë se ajo duhet të caktohet në vlerë prej 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Back to top button