“Non grata”, Berisha: Çojini provat kundër meje në Paris, në të kundërt vazhdoj misionin
Ish-kryeministri Sali Berisha sfidoi edhe njëherë Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH) të dorëzojë në gjykatën e Parisit provat kundër tij për të legjitimuar shpalljen “non grata”, në të kundërt ai shtoi se do të vazhdojë misionin e tij që ka nisur.
Berisha garantoi demokratët se është i gatshëm të marrë çdo vendim për veten nëse del një provë e vetme që mbështet atë vendim.
“Në maj të këtij viti DASH shpall non grata Sali Berishën, 8 vite pasi kishte dhënë dorëheqjen nga çdo rol, njeriun që ishte lavdëruar më shumë se nga kushto tjetër nga administata e SHBA për luftën me sukses ndaj korrupsionit. Nisa betejën time të bëj gjithçka për dinjitetin tim në sallën e gjyqit, në transparencë. Kam muaj e muaj që pres, asnjë fakt, asnjë dokument, asnjë provë për faktin e vetëm se nuk ekzistojnë”, tha ia.
Ai tutje ftoi zyrtarët e DASH të rishqyrtojnë vendimin e tyre sepse siç tha Berisha arroganca dhe gabimi nuk janë virtyte të njerëzve të lirë.
“Do të vazhdoj i palëkundur misionin së bashku me ju për të përmbysur narkoshtetin në Shqipëri për të rikthyer në pushtet PD si parti e vlerave të lirisë që në epiqendër ka qytetarin dhe interesat e tij, si parti që do integrojë Shqipërinë në BE, aleate besnike e NATO-s që nuk do lejojë kurrë të bjerë në zonat të tjera influencë përveç Aleancës Euroatlantike”, tha Berisha.
Sali Berisha dhe familja e tij shpallen “non grata” nga SHBA në maj të vitit 2021.