Norvegjia heq kufizimet e fundit lidhur me COVID-19

Norvegjia hoqi sot të gjitha kufizimet për COVID-19, përfshirë obligimin për distancimin shoqëror dhe maskat në hapësirat e mbushura me njerëz.
“Ne po heqim rekomandimin për distancimin shoqëror”, u tha gazetarëve kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store në një konferencë për shtyp.
“Tani ne mund të shoqërohemi si më parë, në jetën e natës, në ngjarje kulturore dhe raste të tjera sociale. Dhe gjatë rrugës për në dhe nga puna me autobusë, trena dhe tragete”, tha ai.
Norvegjia hoqi shumicën e kufizimeve të tjera në fillim të këtij muaji, duke përfshirë punën në distancë, numrat e personave që lejohen në grumbullime dhe shitjet e kufizuara të alkoolit në bare dhe restorante.
Kërkesa për t’u izoluar për katër ditë pas një testi pozitiv për COVID-19 ndërkohë u ul të shtunën në një rekomandim dhe fëmijëve me simptoma të problemeve me frymëmarrje nuk u kërkohet më të testohen për koronavirus.
Gahr Store theksoi megjithatë se “pandemia nuk ka mbaruar” dhe këshilloi personat e pavaksinuar dhe ata në grupet e rrezikut që të vazhdojnë të praktikojnë distancimin shoqëror dhe të mbajnë maska ku distancimi nuk është i mundur.
Instituti Norvegjez i Shëndetit Publik tha se vendi nuk ka parë ende kulmin e rritjes së variantit Omicron, por pritej së shpejti.
Drejtoresha e agjencisë, Camilla Stoltenberg u tha gazetarëve se numri i shtrimeve në spital ishte rritur me 40 për qind javën e kaluar./21Media

Back to top button