Noteres në Tiranë i sekuestrohen 13 prona e 5 llogari bankare, vlera rreth 3 milionë euro
September 29, 2025Përditesimi i fundit: September 29, 2025
Noteres 35-vjeçare nga Tirana, S.T., i janë sekuestruar 18 asete me vlerë 3 milionë euro, të cilat dyshohet se janë nga burime kriminale.
Policia e Shqipërisë ka njoftuar se është finalizuar operacioni policor i njohur si “Nënshkrimi”.
Po ashtu po bëhen hetime për të gjurmuar e sekuestruar prona të tjera të 35-vjeçare, me burime të dyshimta.
“Paralelisht po kryhen veprime hetimore dhe procedurale, për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të 35-vjeçares, me burime të dyshimta, si dhe për të dokumentuar me prova ligjore burimin e të ardhurave të kësaj shtetaseje. Në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar në Prokurorinë e Tiranës, me objekt gjurmimin e aseteve kriminale, të dyshuara të përfituara nga shtetasja S. T., 35 vjeçe, banuese në Tiranë, gjatë kryerjes së detyrës si notere, Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizoi operacionin “Nënshkrimi”. Në vijim të veprimeve procedurale, të kryera në kuadër të këtij procedimi, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për ekzekutimin e 18 pasurive të 35-vjeçares, me vlerë 3 milionë euro, konkretisht 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare. Hetimet dhe veprimet operacionale, vijojnë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, ka njoftuar Policia e Shtetit.