Nuhiu: Pres të kemi vazhdimësi të rezultateve

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka folur në një konferencë për media para përballjes me Ferizajn të dielën, në kuadër të xhiros së katërt të Superligës së Kosovës.
Ai ka deklaruar se pret që skuadra e tij të tregojë vazhdimësi në paraqitje dhe rezultate të mira.
“Nga skuadra jonë pres të kemi vazhdimësi të rezultateve dhe përveç të bëjmë një lojë të bukur, të jemi edhe të qetë para portës e t’i konkretizojmë rastet që po na jepen”, ka theksuar Ardian Nuhiu në konferencën për media para ndeshjes së katërt kampionale, Ferizaj-Drita.
Ai ka potencuar se nesër do t’i presë ndeshje e fortë, sepse kundërshtari ka futbollistë cilësorë, me të cilët skuadra gjilanase ka lidhje speciale.
“Nesër na pret një përballje e fortë, realisht rezultatet e deritanishme nuk janë pasqyë reale sepse ata kanë realizuar në tri ndeshjet e tyre dhe mendoj se kanë merituar më tepër. Bëhet fjalë për një skuadër me futbollistë cilësorë, disa nga ta kanë qenë pjesë e jona dhe janë shumë special për mua e të rëndësishëm edhe për klubin tonë. Nga skuadra ime pres të kemi vazhdimësi të rezultateve pozitive. Më gëzon fakti që edhe në ndeshjen e fundit kemi luajtur një ndeshje të mirë dhe skuadra ka pasur gjithçka nën kontroll posedimin e topit dhe rastet e krijuara. Kështu që duhet që të kemi fokusin dhe gjithë energjinë ta nxjerrim në atë 90 minutësh për të marrë tri pikët e plota”, ka thënë Nuhiu.
Ndërsa, futbollisti Hamdi Namani ka vlerësuar kundërshtarin, teksa ka theksuar se FC DRITA do të kërkojë gjithmonë maksimumin.
“Për ndeshjen me KF Ferizajin e kemi analizuar kundërshtarin në pikat e forta dhe të dobëta. Shpresoj që me përqëndrim maksimal të dalim fitues. Janë lotarë cilësorë dhe me përvojë të madhe në futbollin kosovar dhe presim e të shohim nesër ndeshjen dhe të marrim më të mirën”, ka thënë Namani.
Nga pyetjet e gazetarëve, Nuhiu ka potencuar faktin se çdo fillim kampionat është i vështirë edhe për skuadrat e mëdha, por është e rëndësishme të përmirësohemi ndeshje për ndeshje.
“Është e rëndësishme që duke marrë futbollistët formën e tyre, të luajnë edhe më mirë, duke marrë pikët dhe realizuar fitoret. Duke kaluar ndeshjet, duke u përmirësuar dhe për këtë më vjen mirë që fituam në ndeshjen e fundit. Pas ndeshjeve në Evropë është e vërtetë që po e kemi të vështirë të kthehemi në realitet, por duhet ta lëmë pas e t’ia bëjmë hyzmetin kampionatit, sepse po ky kampionat do të na dërgojë në Evropë”, ka përfunduar Nuhiu.

Back to top button