Nuk diskutohet për përgjimet
30 Mars 2017
Kushtetuesja nuk diskutoi për përgjimet, iniciativa do të shqyrtohet në muajin prill
Kushtetuesja nuk diskutoi për përgjimet, iniciativa do të shqyrtohet në muajin prill
Gjykata më e lartë shtetërore nuk diskutoi mbi atë se a është në përputhje me kushtetutën apo jo që Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim të përgjojë përmes operatorëve të telekomunikimit. Pika e parë e seancës së sotme në Gjykatën Kushtetuese, me kërkesë të presidentit Nikolla Ivanovski u shty për në një nga dy seancat e ardhshme. Bëhet fjalë për iniciativën e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e nenit 175 të Ligjit për komunikimet elektronike, me të cilin operatorëve të telekomunikimeve u kërkohet që t’i sigurojnë “ të gjitha kushtet e nevojshme teknike që të mundësojnë përgjimin e komunikimeve në rrjetat e tyre”. Arsyeja kryesore për shtyrjen e iniciativës siç thuhet është për shkak të vëllimit të lartë të materialit. Ligj të ri dhe të përmirësuar mbi përgjimet e komunikimeve dje kërkoi edhe prokurori i përgjithshëm republikan, Marko Zvrlevski i cili tha se çdo ditë e më shumë institucionet po i keqpërdorin përgjimet. Sipas tij, me ndryshimin e ligjit është e nevojshme që të rritet edhe roli i prokurorit publik.
“Jemi dëshmitarë të zbardhjeve të keqpërdorimeve të rënda të kësaj pajisjeje nga ana e shërbimeve të zbulimit dhe përdorimit të tyre të paligjshëm, më shpesh për qëllime politike. Pikërisht ndjekja e paligjshme e komunikimeve në Republikën e Maqedonisë kontribuoi që vendi ynë të ballafaqohet me një krizë serioze shoqërore”, u shpreh Marko Zvrlevski, Prokuror Publik.
Një tjetër iniciativë për të cilën Gjykata Kushtetuese nuk është duke vepruar ka të bëjë me vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për PPS-në, që në sirtarët e kësaj gjykate qëndron për më shumë se një vit. Ish-kryetari i Kushtetueses, Trendafil Ivanovski, shpreson se tek gjyqtarët do të mbizotërojë mendimi se ligji për Prokurorinë Publike Speciale nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
“Me ligjin për themelimin e Prokurorisë Publike Speciale nuk cenohet Kushtetuta, dhe në fund të fundit duhet të lejohet që gjërat të rrjedhin në drejtim të daljes nga e gjithë kjo krizë që institucionet të fillojnë përsëri të funksionojnë”, u shpreh Ivanovski.
Iniciativa për shqyrtimin e kushtetutshmërisë dhe lirshmërisë së nenit 175 të Ligjit për komunikime elektronike është ngritur në vitin 2015, në të njëjtën periudhë kur LSDM filloi me publikimin e bisedave të përgjuara në mënyrë ilegale. Në iniciativë është kontestuar i gjithë neni, gjegjësisht të gjitha 10 paragrafët e saj./21Media