Kaloni te përmbajtja kryesore

Hoxhaj: Jam më se i bindur se PDK do ta formojë qeverinë e Kosovës

(Lajm i përditësuar)

Kandidati për deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj “Click” në RTV21 ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po vendos interesat e tij elektorale mbi nevojat e qytetarëve të Kosovës.

Hoxhaj tha se vendi ka nevojë për zgjidhje konkrete për problemet me të cilat përballen qytetarët, ndërsa sipas tij, qeveria aktuale është e fokusuar kryesisht në përfitime politike.

Ai u shpreh gjithashtu i bindur se PDK-ja do të arrijë ta formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës.

“Në vend që të mendojë të ofrojë zgjidhje për qytetarët, Kurti po u jep përparësi interesave të veta elektorale sesa interesave të popullit. Jam më se i bindur se PDK do ta bëjë qeverinë e Kosovës”, tha Hoxhaj.


“Hesht për gjuhën shqipe, buzëqesh me Mickoskin”, Hoxhaj kritikon Kurtin

Hoxhaj: Kurti po e pengon pavarësinë energjetike të Kosovës

Kandidati për deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar qeverinë për mënyrën se si, sipas tij, ka menaxhuar politikën e jashtme dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në emisionin “Click” në RTV21, Hoxhaj tha se politika e jashtme është elementi kryesor që mbron shtetin dhe interesat e tij, por sipas tij, Kosova sot po përballet me një dobësim të pozicionit ndërkombëtar.

Ai vlerësoi se vendi ka një raport të dëmtuar me SHBA-të dhe tha se një nga prioritetet e PDK-së do të jetë rikthimi i partneritetit strategjik me aleatin kryesor të Kosovës.

Hoxhaj kritikoi gjithashtu qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj zhvillimeve rajonale, duke përmendur çështjet që lidhen me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

”Si mundet një kryeministër të mos thotë asgjë për atë që po ndodh me gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, por të shkojë e të buzëqeshë në takime me Mickoskin”, tha Hoxhaj.

Duke folur për sektorin e energjisë, ai tha se qeveria ka refuzuar projekte të rëndësishme amerikane në fushën energjetike, duke e akuzuar Kurtin se po pengon pavarësinë energjetike të Kosovës.


“Kjo është dhu*ë politike” – Hoxhaj me akuza të ashpra ndaj VV-së

Kandidati për deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj në ”Click” të RTV21 ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit politik me Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se kjo parti nuk e sheh bashkëpunimin si pjesë të kulturës së saj politike.

Hoxhaj deklaroi se jo vetëm PDK-ja, por edhe partitë e tjera gabojnë nëse besojnë se mund të kenë bashkëpunim të mirëfilltë me VV-në.

Sipas tij, veprimet e Vetëvendosjes në vitet e fundit tregojnë se ajo synon imponimin e vullnetit të saj politik dhe jo ndërtimin e konsensusit me partitë e tjera.

Ai shtoi se zhvillimet politike të dy viteve të fundit përbëjnë, sipas tij, një formë të dhunës politike ndaj opozitës.

“Kushdo që mendon se mund të ketë një lloj bashkëpunimi me VV-në, jo vetëm në PDK por edhe në partitë e tjera, gabon rëndë. VV nuk e njeh bashkëpunimin si koncept, sepse po të kishte bashkëpunim, do ta zgjidhnim presidentin. VV-ja do nënshtrim dhe imponim. Kjo që po ndodh në dy vitet e fundit është dhunë politike”, tha Hoxhaj.


”Nuk do të dorëzohemi”, Hoxhaj: Nëse doni zgjedhje të pafundme, votoni Kurtin

Kandidati për deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se qytetarët e Kosovës kanë në dorë të vendosin nëse vendi do të vazhdojë me, siç tha ai, ciklin e vazhdueshëm të zgjedhjeve apo do të ketë stabilitet politik.

Hoxhaj akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se synon ta mbajë vendin në zgjedhje të shpeshta për përfitime politike.

Sipas tij, sa më shumë zgjedhje të ketë, aq më shumë dëmtohet demokracia dhe dobësohet opozita.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë PDK-në nëse dëshirojnë t’i japin fund kësaj situate, ndërsa shtoi se partia e tij nuk do të dorëzohet derisa demokracia të rikthehet plotësisht në vend.

“Varet vetëm nga vota e qytetarëve. Qytetarët e kanë parë se Kurti do të na çojë në zgjedhje në mënyrë të vazhdueshme. Sa më shumë zgjedhje, aq më pak demokraci; sa më shumë popull i nënshtruar, aq më shumë parti opozitare të lodhura. Ky është qëllimi i Kurtit. Nëse duan ta ndalin ciklin zgjedhor, le ta votojnë PDK-në. Nëse duan zgjedhje, le ta votojnë Kurtin”, tha Hoxhaj.

“Nuk jemi dorëzuar dhe nuk do të dorëzohemi derisa në këtë vend të kthehet demokracia”, shtoi ai.


Hoxhaj: Qëllimi ynë është ta largojmë Kurtin nga zyra kryeministrisë

Kandidati për deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj në ”Click” të RTV21, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës nuk mban përgjegjësi për zhvillimet politike dhe qeverisëse të viteve të fundit, duke theksuar se partia e tij ka qenë në opozitë për shtatë vjet.

Në emisionin “Click” në RTV21, Hoxhaj tha se PDK-ja nuk ka pasur asnjë bashkëpunim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe se paraqet alternativën për ta rikthyer vendin në një drejtim tjetër politik.

Sipas tij, qëllimi i PDK-së pas zgjedhjeve është formimi i një qeverie me partitë opozitare dhe largimi i Kurtit nga pushteti.

Ai gjithashtu kërkoi që Kurti të lirojë zyrën e kryeministrit, duke pretenduar se po e mban atë në mënyrë jolegjitime si kryeministër në detyrë.

Hoxhaj akuzoi Kurtin edhe për dobësimin e rolit të Kuvendit dhe mungesën e llogaridhënies institucionale.

“Kurti e ka shuar parlamentarizmin vitet e fundit. Nuk ka llogaridhënie parlamentare dhe nuk ka përgjegjësi. Pyetja që duhet ta shtrojmë është: kah po shkojmë?”, deklaroi ai.


“Merreni seriozisht votën”, Hoxhaj me thirrje për qytetarët

Kandidati për deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se opozita duhet të jetë e bashkuar në mbrojtje të demokracisë, institucioneve, bizneseve dhe mediave të lira në Kosovë.

Hoxhaj tha se zgjedhjet e ardhshme kanë rëndësi të veçantë për të ardhmen demokratike të vendit dhe u bëri thirrje qytetarëve që ta marrin seriozisht votën e tyre.

Ai kritikoi edhe përdorimin e çështjeve familjare dhe personale në debatin politik, duke e cilësuar një praktikë që nuk përputhet me standardet demokratike.

Sipas Hoxhajt, përfshirja e fëmijëve dhe familjarëve në fushata zgjedhore është e papranueshme dhe paraqet një zhvillim shqetësues për kulturën demokratike në vend.

“Në këto zgjedhje shkojmë për ta mbrojtur demokracinë në këtë vend”, deklaroi ai.

 


Hoxhaj: Osmani e Kurti rrënuan institucionet e pavarura të Kosovës

Kandidati për deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj, në ”Click” të RTV21 ka drejtuar kritika të ashpra ndaj presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke i akuzuar se kanë dëmtuar institucionet e pavarura të vendit.

Ai tutje tha se Osmani nuk mund të paraqitet si figurë që synon rikthimin e demokracisë, pasi sipas tij, ka mbështetur vazhdimisht Kurtin edhe në raste kur veprimet e tij kanë qenë të dëmshme për vendin.

Ai deklaroi se Osmani dhe Kurti kanë qenë “boshti i së keqes” në Kosovë që nga viti 2019 dhe i akuzoi për rrënimin e institucioneve të pavarura.

Sipas Hoxhajt, vendi ka nevojë për një president që garanton balancën politike dhe funksionimin demokratik të institucioneve.


Hoxhaj: Nuk i nënshtrohem Kurtit dhe nuk do t’i nënshtrohem kurrë

Kandidati për deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po synon të përqendrojë sa më shumë pushtet dhe të kufizojë demokracinë në vend.

Në emisionin “Click” në RTV21, Hoxhaj tha se zhvillimet politike të dy viteve të fundit nuk kanë të bëjnë me inate politike, por me, siç u shpreh ai, tendencën e Kurtit për të pasur më shumë pushtet dhe më pak demokraci.

“Ka inate, por ajo që ka ndodhur në dy vitet e fundit nuk ka të bëjë me inate. Ka të bëjë me tendencën që Kurti dëshiron sa më shumë pushtet, sa më pak demokraci dhe sa më shumë nënshtrim të opozitës. Ne si deputetë të opozitës e kemi për detyrë të mos e lejojmë këtë”, deklaroi Hoxhaj.

Ai shtoi se nuk do t’i nënshtrohet Kurtit dhe se opozita është e gatshme të përballet me zgjedhje sa herë që ato thirren.

Hoxhaj kritikoi edhe Vjosa Osmani, për të cilën tha se gjatë mandatit të saj ka vepruar në përputhje me interesat e Kurtit.

“Nuk dua një president që është marionetë. Osmani për pesë vite i ka shërbyer në mënyrë të turpshme Kurtit. Nuk e ka hapur gojën për çështje të rëndësishme, prej marrëdhënieve me SHBA-të deri te caktimi i zgjedhjeve më 28 dhjetor”, tha ai.


“Vetëm në Rusi e Bjellorusi ndodhin këto gjëra”, Hoxhaj me kritika pë Kurtin

Hoxhaj për Kurtin: Kosova nuk u krijua për një njeri dhe një parti politike 

Kandidati për deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet diaspora gjatë fushatës zgjedhore, duke thënë se ajo nuk duhet të shihet si një mjet elektoral në shërbim të një partie politike.

Në emisionin “Click” në RTV21, Hoxhaj deklaroi se është në favor të politikave sociale që mbështesin familjet, pensionistët, lehonat dhe qytetarët në nevojë, por theksoi se ato duhet të realizohen përmes ligjeve dhe jo gjatë fushatave zgjedhore.

“Biletat duhet të jenë më të lira, por jo të shpërndahen 2 milionë euro për një kompani me qëllim që të sillen në Kosovë militantët e një partie për të votuar”, tha ai.

Hoxhaj akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për keqpërdorim të buxhetit të shtetit për interesa partiake, duke shtuar se Kosova nuk është krijuar për t’i shërbyer një individi apo një partie politike.

Sipas tij, praktika të tilla janë të papranueshme për një shtet që synon standarde demokratike evropiane.

“Vetëm në Rusi, Bjellorusi dhe në disa vende afrikane mund të ketë një situatë ku opozita ankohet se pushteti po blen bileta për militantët e vet. Kjo nuk duhet të lejohet te keqperdoret e them pa hezitim”, deklaroi Hoxhaj.


Hoxhaj: Ose demokraci, ose regjim autoritar, 7 qershori vendos të ardhmen e Kosovës

Kandidati për deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj, në emisionin “Click” në RTV21, tha se zgjedhjet e 7 qershorit janë ndër më historiket për të ardhmen e Kosovës.

“Nuk ka pasur ndonjëherë zgjedhje në Kosovë pas vitit 2007 që mund të jenë më historike për të ardhmen e vendit sesa këto të 7 qershorit. Kjo për faktin se ndodhemi në një situatë ku 7 qershori është një datë referendumi për demokracinë, sepse ose do të mbetemi një vend demokratik, ose përmes autokracisë elektorale që ka instaluar Kurti do të shndërrohemi në një regjim autoritar.Nuk ka pasur asnjëherë në Kosovë, që nga viti 2001, një garë më të pabarabartë, sepse Kurti po përdor shtetin dhe buxhetin për të blerë vota. Qytetarëve u bëj thirrje të votojnë me mendje ”, tha Hoxhaj.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button