Nuk do të ketë kandidat të përbashkët për Qytetin e Shkupit, e as nuk është biseduar mbi këtë temë, thotë kryeministri Zoran Zaev, duke i hedhur poshtë zërat lidhur me surprizën të cilën e paralajmëroi partneri i koalicionit Ali Ahmeti.

Pasi kreu i integristëve tha se të shtunën do të zbulojë se çfarë fshihet pas surprizës së paralajmëruar, në opinionin publik dolën një sërë supozimesh se bëhet fjalë për kandidat shqiptar për kryetar të Qytetit të Shkupit dhe se kjo do të jetë një lloj kompensimi për kryeministrin shqiptar.

“Jo, nuk bëhet fjalë për këtë, bëhet fjalë për diçka që paraqet modernizim të partnerit tonë të koalicionit dhe është e logjikshme të lejoj që ata të flasin për detajet dhe patjetër është në frymën e asaj që ne e punojmë si Qeveri. Do t’i shihni detajet ashtu siç i prezantuam ndryshimet tona. Aspak nuk është biseduar për një punë të tillë, për kandidat të përbashkët ose për kompensime etj. Jo. Bëhet fjalë për platformë politike, perspektiva, ardhmëri etj.”, tha Zaevi.

Ahmeti paralajmëroi se të shtunën do ta kumtojë befasi, gjë që shkaktoi shumë dilema dhe supozime.

Zaev paralajmëron se në zgjedhjet lokale do të bëjë koalicion me më shumë parti.

“Qytetarët besojnë në bartësit e ardhshëm të funksioneve në nivel lokal, andaj është shumë e rëndësishme se cilët personalitete do të jenë dhe prej asaj do të varet se si do të votojnë qytetarët, por do të varet edhe nga mënyra se si i bëjmë koalicionet. Kështu që ne do të bëjmë koalicione. Ne fillojmë me idenë për t’i krijuar maksimalisht koalicionet. Patjetër, një pjesë prej tyre do të bëhen që në rrethin e parë, ndërsa pjesa tjetër në rrethin e dytë”, tha Zaevi.

Emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave sipas të gjitha gjasave do të dihen kah fundi i gushtit ose fillimi i shtatorit. Paraprakisht, LSDM-ja paralajmëron se do t’i shohë anketat në terren që të caktohet nominimi i këshilltarëve dhe kandidatëve për kryetarë të komunave./TV21