Fitore bindëse e Kosovës ndaj Luksemburgut

 

Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka fituar edhe ndeshjen e dytë në kuadër të turnut të Grupit A të fazës së parë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2022 në konkurrencën e femrave, që po mbahet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet.

Skuadra dardane ka mposhtur Luksemburgun me rezultat 33:27, duke bërë që fati i Grupit A të vendoset në ndeshjen e së shtunës ndaj Portugalisë, e cila po ashtu e fitoi takimin e dytë ndaj Qipros, 32:17, shkruan rtv21.tv

Pavarësisht shumë mungesave në formacion për arsye të ndryshme, ku nuk luajtën as dy hendbollistet më të mira në duelin e kaluar ndaj Qipros, Arlinda Hajdari e Njoma Zogaj, të përzgjedhurat e Agron Shabanit ia dolën të fitojnë ndeshjen me gjashtë gola epërsi.

Kosova e kontrolloi gjithë takimin dhe pati epërsi konstante, ani pse në 10-minutëshin e fundit Luksemburgu u afrua deri në 2 gola, por kjo ishte e tëra që arritën të bëjnë mysafiret.

Golashënuesja më e mirë e Kosovës në këtë takim ishte Pashke Marku me 10 gola të realizuar./21Media

Back to top button