”Nuk heqim dorë nga Albulena Haxhiu”, çka tha Kurti sot

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje që u mbajt sot foli për moskonstituimin e Kuvendit, letrën që ia dërgoi Lidhjes Demokratike të Kosovës për koalicion, e që kjo e fundit e refuzoi, si dhe për mundësinë e shkuarjes në zgjedhjet të reja.
Albin Kurti e bëri të qartë se nuk heqin dorë dhe e propozuara e partisë së tij për kryetare të Kuvendit do të vazhdojë të jetë Albulena Haxhiu edhe pse kjo e fundit qe disa përpjekje me radhë ka dështuar të marrë 61 votat e nevojshme.
Kreu i VV-së e bëri të qartë se emri i partisë së tyre për kryeparlamenatare është Albulena Haxhiu, ndërsa tregoi edhe si e njohu atë.
“Ne kemi të drejtën kushtetuese për të zgjedhur dhe emëruar përfaqësuesit tanë, dhe këtë të drejtë po e ushtrojmë me përgjegjshmëri. Ne kemi kandidatin më të votuar për këtë post, Albulena Haxhiun, mbesën e heroit Ahmet Haxhiu, dhe nuk heqim dorë nga kjo kandidaturë.Partitë nuk duhet t’ia zgjedhin njëri-tjetrit propozimet e kandidatët, andaj Albulena Haxhiu është emri i VETËVENDOSJE!-s për kryetaren e Kuvendit të Republikës. Por, fare shkurtimisht do kisha dashur të tregoj prej nga vjen njohja ime me Albulenën. Gjyshi i Albulenës, Ahmet Haxhiu, ishte një nga veprimtarët e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH) dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Adem Demaçit, bacës Adem. Në vitin 1991, ai dërgonte armë në Drenicë, duke mbështetur kështu Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në vitin 1993, ai u arrestua nga Serbia dhe, pas torturave të rënda, vdiq më 6 korrik të vitit 1994. Mbesa e tij, Albulena është deputetja më e votuar e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e viteve 2019 dhe 2021, e tash në 2025, është deputetja më e votuar e legjislaturës së nëntë me mbi 125 mijë vota. E në seancën konstituive Albulena tash për tash i ka 57 vota, 48 të VETËVENDOSJE!-s dhe 9 të pakicave e ku bëjnë pjesë: dy boshnjakë, dy turq, dy egjiptianë, një serb, një rom dhe një ashkali. Pra, Albulena ka mbështetjen edhe të komuniteteve tjera”, ka thënë Kurti në mbledhjen e sotme të partisë.
Ai tha se bllokimi i Kuvendit vjen nga ata që votojnë kundër, ose nuk votojnë fare.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?