Nuk miratohet buxheti i Komisionit hetimor mbi rastet e dhunës seksuale dhe asaj familjare

Me kundërshtime mes pozitës e opozitës është përcjellë votimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar mbi rastet e dhunës seksuale dhe asaj në familje. Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar opozitën për pengim në procesin hetimor të këtyre rasteve në komision hetimor. Ndërkaq, partitë opozitare kanë mohuar një gjë të tillë, duke akuzuar mazhorancën se ka dështuar në komision. Me asnjë votë pro, kundër 59 dhe dy abstenime nuk është miratuar votimi i këtij buxheti.

Anëtari i Komisionit Hetimor Parlamentar, Alban Bajrami deklaroi se nuk duhet të votohet buxheti i këtij komisioni, meqë i njëjti nuk ka mandat.

“Sipas afatit ligjor, ky komision vetëm se rresht së punuari për shkak se është votuar qysh në qershor. Sipas procedurës parlamentar, i bie që ne tash do të ishte dashur të përfundojmë hetimin, kurse sipas ndarjeve që bëhen në Kuvend, këtë komision hetimor do të ishte dashur ta udhëheqë subjekti opozitar AAK. Për fat të keq, deri më tani nuk kanë arritur ta votojnë përfaqësuesin e tyre si kryesues të këtij komisioni dhe ne e kemi pasur gati të pamundur të funksionojmë si komision hetimor, pavarësisht se disa mbledhje i kemi aranzhuar, por që është bërë shumë pak për shkak të pamundësisë për të siguruar kuorumin në disa raste”, u shpreh ai.

Bajrami tha se do të votojnë kundër votimit të buxhetit për këtë komision.

“Unë nuk besoj që duhet ta hedhim në votim buxhetin. Vetëm në rast se kemi një konsultim me administratën e Kuvendit që të paktën edhe tre muaj shtesë t’i shtohen këtij komisioni hetimor, përndryshe ky komision hetimor ka dështuar për shkak se subjektet opozitare kanë dështuar t’i dërgojnë përfaqësuesit e tyre. Në rastin e LDK-së është dashur të dërgojnë dy përfaqësues e kanë dërguar vetëm një. Në rastin e AAK-së kanë pasur të dërgojnë kryesuesin e komisionit, ende nuk është votuar. Në disa raste kur ka qenë pika për votim, ata nuk kanë qenë në sallë. Kësisoj e kanë pamundësuar funksionimin adekuat të komisionit”, deklaroi ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se kanë dërguar dy deputete në këtë komision.

“Edhe sikur komplet opozita ta kishte bojkotuar punën e këtij komisioni, të cilën nuk e ka bërë, pushteti i ka numrat për ta pasur shumicën në atë komision së bashku me partnerët e koalicionit me komunitetet jo-shumicë edhe për të vazhduar të përmbushë mandatin e këtij komisioni. Prandaj, unë nuk mendoj që nuk është momenti për të akuzuar partitë opozitare ‘kanë marrë pjesë, s’kanë marrë pjesë’. Ju e keni themeluar një komision hetimor parlamentar për të hetuar rastet e dhunës në familje dhe çështje tjera, të cilat janë në mandatin e këtij komisioni dhe tash kanë shkuar gjashtë muaj, nuk e keni bërë asnjë punë të vetme dhe tash çoheni duke e pasur edhe shumicën në këtë komision, dhe flisni. Është vërtetë e papranueshme. As nuk dini, as nuk keni vullnet”, tha Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se në këtë komision janë dy deputetë, por si i tillë nuk ka objekt hetimi.

“Ky komision nuk ka objekt hetimi. Këtë punë që këta pretendojnë të bëjnë duhet ta bëjë komisioni funksional në kuadër të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve. Pastaj nga gjetjet e atij komisioni mund të shkohet përtej. Por meqë jemi në një situatë ku janë mbi 40 nënshkrime me automatizëm formohet komisioni dhe ne i kemi dërguar emrin, kemi dërguar vetëm një emër për arsye të pastër teknike. Kompozicioni i Kuvendit në atë kohë ka qenë i tillë që neve na ka takuar vetëm një anëtar, pastaj ka ndryshuar kompozicioni i Kuvendit dhe ne e dërgojmë edhe anëtarin e dytë”, tha ai.

Me këtë rast ka reaguar deputeti i LVV-së, Alban Bajrami, duke thënë se hetimi është penguar nga opozita.

Arben Gashi në replikën e tij ndaj kolegut të tij nga Vetëvendosja, tha se nuk po e dinë se çfarë po kërkon deputeti i shumicës parlamentare.

“A ka mundësi ti se kryesues i kësaj seanca të na ndihmoni pak? Ky djali, çfarë është duke kërkuar, o vëlla? A po kërkon shtim të mandatit, a po kërkon plotësim të komisionit, a po kërkon buxhet? Çfarë po kërkon, se ky nuk po e di çfarë po kërkon. As s’e ka ditur kur e ka kërkuar komisionin, as nuk po e di tash. Cila është kërkesa e tij, ta qesim në Kuvend ta votojmë dhe ta kryejmë punën”, tha Gashi.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se kanë dërguar propozimin e tyre për deputeten Albana Bytyqi në kryesi të kuvendit.

“Unë mendoj që duhet t’i zgjatet këtij komisioni afati edhe për gjashtë muaj, në mënyrë që ta ushtrojë një funksion tepër të rëndësishëm dhe që lidhet me hetimin parlamentar me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje”, u shpreh ai.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi kërkoi nga deputeti Alban Bajrami ta pranojë dështimin e këtij komisioni. Edhe anëtarja e këtij komisioni nga PDK-ja, Ariana Musliu-Shoshi tha se mbledhjet janë mbajtur, por qëllimi ka qenë që organet e drejtësisë të mbahen nën kontroll.

Back to top button