Nuk miratohet raporti vjetor financiar i Qeverisë për buxhetin 2020

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, nuk e ka miratuar sot raportin vjetor financiar të Qeverisë për buxhetin e Kosovës për vitin 2020.
Kundër votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa për ishin vetëm deputetët e partive opozitare.
Ministri i Financave Hekuran Murati tha se pranimet përfshirë fondet në mirëbesim, të hyrat e bartura dhe donatorët ishin në shumë 2 miliardë e 207 milionë euro. Ai deklaroi se deficiti buxhetor ishte në përputhje me rregullën fiskale të ndryshuar me vendim të Kuvendit.
Ministri Murati tha se pas pranimit të raportit të auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit kanë përgatitur edhe planin për zbatimin 38 rekomandimeve të dhëna, teksa tha se edhe Qeveria e Kosovës ka miratuar planin për zbatimin e rekomandimeve.
Kryetari i Komisionit, Armend Muja, ka kërkuar sqarime sa i përket vlerësimit në raportin e ZKA-së se realizimi i buxhetit për 2020 është përcjellë me mangësi të ndryshme dhe se reduktimi i fondeve nga qeveria ka ndikuar që shuma të konsiderueshme të detyrimeve të mbesin të papaguara dhe shumë projekte të mos realizohen.
Në përgjigjen e tij, ministri Murati tha se vërejtja është me vend pasi që viteve të kaluara ka pasur një nënshpenzim dhe mos planifikim të duhur sa i përket shpenzimeve kapitale,
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka adresuar kritika rreth ndarjes së buxhetit për subvencione dhe grante, duke thënë se nuk është në përputhje me sipërfaqet e mbjella në terren.
Ndaj këtyre deklarimeve ka reaguar ministri Murati, i cili tha se mund të ketë devijim në përqindje të vogël, por jo edhe dyfishimi i asaj që është planifikuar.
Komisioni me vota unanime ka miratuar raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2021. Raportin e ka prezantuar sekretari i Kuvendit Ismet Krasniqi, i cili tha se shpenzimet nëntëmujore të vitit 2021 krahasuar me shpenzimet e vitit 2020 janë më të larta.
Komisioni ka miratuar edhe raportin me Amendamente të Komisionit Funksional për Ekonomi, për Projektligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike.
Ndërkaq nuk ka miratuar raportin vjetor financiar të Autoritetit të Aviacionit Civil për vitin 2020 dhe as raportin vjetor financiar të KOSTT për 2020

Back to top button