Nuk votohet projektligji që mundëson të blihen vetura më të vjetra se 10 vjet

Lushtaku tha se projektligji nuk është kundër ligjeve të BE-së, por me këtë projektligj respektohen standardet e BE-së

Komisioni për Buxhet dhe Financa me shumicë votash kanë votuar kundër lejimit të importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet.

Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Automjete dhe amendamenteve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, anëtari i komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani konsideroi se paragrafi 1 nuk është trajtuar mirë dhe është i dëmshëm.

Sipas tij, në Kosovë ka një numër të madh të automjeteve të vjetra që qarkullojnë në rrugët e Kosovës. “Ajo që është kërkuar me u rrit importi automjeteve prej 10 në 15 do ta rëndojë edhe më tej komunikacionin rrugor. Logjika me ba Kosovën depo të hekurishteve nuk është e mirë”, theksoi Osmani.

Deputeti Dardan Molliqaj, duke kundërshtuar ndryshimin e projektligjit për veturat theksoi se ajo që është me rëndësi është ambienti.

Sipas tij, ajri i ndotur shkakton dëm në ambient dhe në shëndetin e njerëzve dhe se nuk është prioritet vetura, por shëndeti dhe ambienti. Molliqaj shtoi se zyra e BE dhe ambasada e Gjermanisë e kanë kundërshtuar idenë e importit të vjetra, që sipas tij kanë të drejtë.

Iniciuesi i këtij projektligji, deputeti Mërgim Lushtaku tha se projektligji në fjalë nuk është kundër ligjeve të BE-së, por me këtë projektligj respektohen standardet e BE-së.

“Qëllim tjetër me këtë projektligj ka qenë edhe mirëqenia sociale, sepse jo të gjithë kanë mundësi me blerë vetura të reja”, theksoi Lushtaku, duke shtuar se respekton edhe kriteret ambientale.

Safete Hadërxhonaj shprehu shqetësimin e saj për akcizën e lartë për import të veturave. Ajo kërkoi një kontroll me të mirë për veturat, sepse sipas saj, ka automjete të reja dhe ndodhë që nuk janë në rregull, ndërsa ndodhë që ka vetura më të vjetër se dhjetë vjet dhe është në rregull i plotëson kushtet ambientale.

Po ashtu, edhe Blerim Kuçi përkrahu iniciativën për importimin e veturave më të vjetra sa dhjetë vjet.

Ndërsa, kryetari i Komisionit, Lumir Abdixhiku tha se nëse është qëllimi që t’i ndihmohet qytetarëve, të rekomandohet që të ulet kostoja e importit të veturave, ndërsa të mos përkrahet importi i veturave më të vjetra se dhjetë vjet.

Komisioni miratoi Projektligjin për Produkte të Ndërtimit dhe amendamenteve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, që pritet të ketë një implikim financiar 240 mijë euro. Po ashtu, është miratuar edhe Projektligji nr.06/L-079 për Efiçiencë të energjisë dhe amendamenteve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal që ka një implikim financiar pak më shumë se 1 milionë euro për vitin 2019.

Back to top button