Numërimi i votave me kusht, me postë dhe i personave me nevoja të veçanta do të fillojë brenda disa ditësh

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi sot tha se po bëhet pranimi i materialit zgjedhor nga të gjitha vendvotimet.
Elezi tha se vendvotimi është përmbyllur dhe se deri te shpallja dhe pastaj certifikimi i rezultateve përfundimtare arrihet pas një procesi të detajuar të verifikimit.
I njëjti bëri të ditur se edhe numërimi i votave me kusht, atyre me postë dhe të personave me nevoja të veçanta do të fillojë brenda disa ditësh në QNR. Gjithashtu shtoi se po bëhet futja e të dhënave në sistem.
“Ju njoftoj se procesi i numërimit të fletëvotimeve është përmbyllur të dielën në të gjitha vendvotimet. Rezultatet preliminare të zgjedhjeve për kryetar të komunave dhe rezultatet e subjekteve politike për kuvend komunale janë shfaqur në KQZ. Ka raste kur të dhënat nuk janë përditësuar, po përpiqemi të bëjmë përditësimin e tyre. Në QNR po bëhet pranimi i materialit zgjedhor nga të gjitha vendvotimet,  është e rëndësishme që KQZ-ja të përqëndrohet në përfundimin e procedurave lidhur me Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave në mënyrë që të shpallim dhe certifikojmë rezultatet përfundimtare, për ta ditur saktë se cilat janë komunat në të cilat duhet të mbahet raundi i dytë dhe që sipas ligjit kjo duhet të bëhet katër javë pas raundit të parë. Deri te shpallja dhe pastaj certifikimi i rezultateve përfundimtare vijmë pas verifikimit dhe numërimit të votave me kusht; votave me postë; votave të personave nevoja të veçanta; pas përfundimit të të gjitha procedurave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve; si dhe pas përfundimit të shqyrtimit dhe vendosjes lidhur me ankesat eventuale të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre”,. Në fund të pranimit të materialit do të kemi një raport të detajuar. Sipas ligjit raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune mbahet ditën e dielë katër javë pas raundit të parë”, tha Elezi.

Ndryshe, në zgjedhjet e mbajtura dje në Kosovë, 17 komuna kanë zgjedhur kryetarin e tyre për 4 vjetët e ardhshme, ndërsa 21 komuna kanë shkuar në balotazh. Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është bërë e ditur se pjesëmarrja në zgjedhjet lokale ka qenë rreth 42.50%./21Media

Back to top button