Numri i të vdekurve shkon në 3,452 pas tërmetit shkatërrues

(Lajm i përditësuar)
Numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri është rritur në të paktën 3,452 pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 7.8 ballë që tronditi Turqinë jugore herët të hënën.
Numri i përgjithshëm i të plagosurve në Turqi dhe Siri u ngjit të hënën në 15,762.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve në Turqi është rritur në 2,316, sipas Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD).
Numri i përgjithshëm i të vdekurve në Siri u rrit në 1,136. SANA raporton 656 në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe grupi “Helmetat e Bardha”, i njohur zyrtarisht si Mbrojtja Civile e Sirisë, raportoi 480 vdekje në zonat e kontrolluara nga opozita.
Turqia ka të paktën 13,293 dhe Siria ka 2,469 të lënduar pas tërmetit shkatërrues.
Të paktën 3,000 persona raportohet se kanë vdekur në Turqi dhe Siri
Sipas raportimeve, numri i të vdekurve nga tërmetet shkatërruese të mëngjesit të sotëm ka shkuar mbi 3000 në Turqi dhe Siri.
Rreth 2,316 njerëz kanë vdekur tani në Turqi, sipas agjencisë së vendit për fatkeqësitë.
Në Sirinë fqinje, të paktën 1,293 njerëz kanë vdekur, sipas qeverisë dhe grupeve të shpëtimit të cituara nga agjencia e lajmeve AFP.
Raporton se në zonat e kontrolluara nga qeveria, ministria e shëndetësisë e Sirisë thotë se 593 njerëz kanë vdekur tani. Në pjesët e kontrolluara nga rebelët në veriperëndim të vendit, të paktën 700 njerëz u vranë, sipas grupit të shpëtimit të Helmetave të Bardha, siç citohet nga AFP.
Të paktën 2 mijë 701 të vdekur nga tërmetet në Turqi dhe Siri
Numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri ka shkuar në mbi 2 mijë e 700 pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 7.8 ballë që goditi Turqinë jugore herët të hënën.
Numri i përgjithshëm i të lënduarve në Turqi dhe Siri shkoi në 13 mijë e 572.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve në Siri u rrit në 1050. Ndërsa, numri i përgjithshëm i të vdekurve në Turqi është rritur në 1651, sipas nënpresidentit të Turqisë Fuat Oktay.
Mbi 2.300 viktima nga tërmetet, Turqia shpalli një javë zie kombëtare 
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan shpalli shtatë ditë zie kombëtare për shkak të tërmetit.
“Për shkak të tërmeteve që ndodhën në vendin tonë më 6 shkurt 2023, është shpallur zie kombëtare për shtatë ditë. Flamuri ynë do të valëvitet në gjysmështizë deri në perëndimin e diellit të dielën, më 12 shkurt 2023, në të gjithë vendin tonë dhe brenda përfaqësive të huaja”, tha Erdogan përmes një postimi në Twitter.
Mbi 2.300 viktima nga tërmetet në Turqi dhe Siri
Më shumë se 2.300 njerëz kanë humbur jetën në Turqi dhe Siri nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballësh të Rihterit, i cili i goditi të dyja vendet mëngjesin e hershëm të së hënës dhe lëkundjet tjera pas tij.
Qindra persona besohet se ende janë të ngujuar nën rrënoja dhe numri i viktimave pritet të rritet. Punonjësit e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet mes rrënojave nëpër qytete dhe në vendbanimet në të gjithë zonën.
Një tërmet i dytë godet Turqinë, numri i të vdekurve shkon në 2 mijë

Numri i të vdekurve nga tërmeti i parë në Turqi dhe Siri ka shkuar në 2 mijë.

Numri i viktimave pritet të vazhdojë të rritet ndërsa ekipet e shpëtimit kërkojnë të mbijetuarit.

Është ende e paqartë se sa njerëz vdiqën si rezultat i tërmetit të dytë, nëse ka.

​Tërmeti në Turqi, BE dërgon ekipe shpëtimi
Bashkimi Evropian ka dërguar ekipe shpëtimi në Turqinë e goditur nga një tërmet i fuqishëm, i cili preku edhe Sirinë, njoftoi sot komisioneri evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic.
Ai ka shkruar në Twitter se kanë aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.
“Pas tërmetit në Turqi këtë mëngjes, ne kemi aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së. Qendra Koordinuese e Reagimit Emergjent të BE-së po koordinon vendosjen e ekipeve evropiane të shpëtimit. Ekipet nga Holanda dhe Rumania tashmë janë nisur drejt Turqisë”, shkroi zyrtari evropian në Twitter.
Një tërmet me magnitudë 7,8 ballë goditi Turqinë jugore dhe Sirinë fqinje duke vrarë shumë njerëz në të dy vendet dhe duke shkaktuar dëme shumë të konsiderueshme, sipas raporteve fillestare që po ndryshojnë vazhdimisht.
Gjermania, Italia dhe Franca ofruan ndihmën e tyre për popullsinë e rajoneve të shkatërruara, siç bënë Belgjika, Polonia, Spanja dhe Finlanda.
Një tërmet i dytë godet Turqinë, të paktën 1700 të vdekur
Numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm në Turqi dhe Siri ka shkuar në më shumë se 1700 njerëz, ndërsa mijëra të tjerë kanë mbetur të lënduar në të dyja vendet.
Tërmeti i fuqishëm kishte magnitudë 7.8 ballë të Rihterit, ndërsa përveç viktimave dhe të lënduarve ka shkaktuar edhe dëme të shumta materiale e infrastrukturore.
Një lëkundje e re me magnitudë 7.5 goditi Turqinë rreth orës 13:30 me kohën lokale (10:30 GMT), për të cilën zyrtarët thanë se “nuk ishte një pasgoditje”.

Publikohen video që tregojnë qytetet e shkatërruara pas tërmetit në Turqi

Më shumë se 1 mijë persona raportohet se kanë vdekur në Turqi e Siri si pasojë e një tërmeti të tmerrshëm që ka goditur dy vendet.

BBC ka publikuar video që tregojnë qytetet e shkatërruara pas tërmetit në Turqi

Pamjet nga Gaziantep, Turqi, kapin ndërtesa pothuajse të rrafshuara dhe grumbuj rrënojash.

Moti i ligë në Turqi mund të pengojë përpjekjet e shpëtimit

Përpjekjet e shpëtimit në ditët në vijimë pas tërmetit në Turqi mund të pengohen nga kushtet e vështira të motit.

Në rajonin turk rreth epiqendrës së tërmetit të parë priten reshje të dendura shiu, ndërsa temperaturat do të jenë -3, -4 gradë Celsius gjatë ditës dhe më shumë nën zero gjatë natës.

Gjithashtu parashikohet të bjerë rreth 3-5 centimetra borë, ndërsa në veri të Turqisë pritet të ketë borë më të madhe.

Në zonat më malore temperaturat nuk pritet të rriten fare mbi zero në ditët në vijim, çka mund të nënkuptojë reshje bore prej 50-100 cm.

Të paktën 2,800 ndërtesa mendohet se janë shkatërruar në tërmetin e parë të mëngjesit të sotëm, që do të thotë se mijëra njerëz mund të mbeten pa strehë.

5 vjeçarja nxirret e gjallë nga rrënojat 7 orë pas tërmetit

Ndërtesa 6-katëshe, e vendosur në qendrën e qarkut Kahramanmaraş Pazarcık, u shemb nga tërmeti me magnitudë 7.7 që ndodhi në mëngjes.
Nën rrënoja mbeti edhe familja Güneş me 4 anëtarë që jetonte në ndërtesë.  Nëna, babai dhe djali u shpëtuan herët në mëngjes, por nuk ishte e lehtë të arrihej tek 5-vjeçarja Ayşe Kübra Güneş.
Vendndodhja e Ayşe Kübra Güneş u përcaktua me punën e ekipeve mjekësore dhe xhandarmërisë. Ekipet u përpoqën të ruanin qetësinë duke biseduar vazhdimisht me vajzën 5-vjeçare.
Vogëlushja i ka dërguar edhe një mesazh ’ babait të saj ‘Jam mirë”, derisa ishte nën rrënoja.

Një tërmet i dytë godet Turqinë, pas më shumë se një mijë të vdekur
Një tërmet i dytë ka goditur Turqinë juglindore, me epiqendër afër qytetit të Kahramanmaras, sipas raportimeve.
Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së tha se kishte matur fuqinë e tërmetit në 7.5 ballë.
Një fëmijë nxirret i gjallë nga rrënojat e tërmetit
Një fëmijë u nxor i gjallë nga rrënojat pas tërmetit në Siri të hënën.
BBC-ja publikoi pamje të rënda të momentit kur ai u nxor i gjallë, në qytetin Azaz.
Tërmeti 7.8 shkallë të Rihterit goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën, duke lënë mijëra viktima e shumë të plagosur.
Autoritetet e emergjencës po bëjnë kërkim-shpëtimin e banorëve.


Konjufca: Zemrat tona janë me familjet e viktimave
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca është shprehur i pikëlluar për përmasat tragjike të tërmetit, që ka goditur sot Turqinë.
Konjufca i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta popullit turk.
“Në këto çaste të vështira e tronditëse, zemrat tona të thyera janë me familjet e viktimave të termetit dhe lutemi për shërimin e të lënduarve. Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin popullit turk, Presidentit të Republikës së Turqisë, z.Recep Tayyip Erdoğan, Asamblesë së Madhe Kombëtare dhe Presidentit të saj, z.Mustafa Şentop.”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Mbi një mijë të vdekur nga tërmeti në Turqi dhe Siri
Numri i viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Siri ka arritur mbi 1 mijë e 200.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se të paktën 912 njerëz kanë vdekur në Turqi, tha në një fjalim televiziv të hënën.

Në Siri, të paktën 386 njerëz kanë vdekur, duke përfshirë 239 kryesisht në rajonet e Alepo, Hama, Latakia dhe Tartus, njoftoi më herët TV shtetëror sirian.Grupi “Helmetat e Bardha”, i njohur zyrtarisht si Mbrojtja Civile e Sirisë, raportoi gjithashtu të paktën 147 vdekje në zonat e kontrolluara nga opozita në veriperëndim të Sirisë.Mision shpëtimi nga Shqipëria niset sot për në Turqi

 

Mision shpëtimi nga Shqipëria niset sot për në Turqi

Pas tërmetit të rëndë që u shënua në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, një mision shpërtimi solidariteti do të niset sot nga Shqipëria për në Turqi,Këtë gjë e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetin social Tëitter, ku ka shprehu ngushëllimet dhe solidaritetin me qytetarët e Turqisë dhe Sirisë.
“I pikëlluar thellësisht për lajmin e mëngjesit të sotëm për tërmetin shkatërrues që goditi disa pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Ngushëllimet tona më të thella për familjet e shumta që humbën jetën dhe u urojmë shërim të shpejtë të lënduarve. Një mision shpëtimi solidariteti do të niset sot për në Turqi”, ka shkruar Rama.

Tërmeti në Turqi, së paku 670 të vdekur më shumë se 1 mijë e 700 ndërtesa të shembura
Sipas informacioneve më të reja nga Turqia, bëhet e ditur se së paku 670 persona janë raportuar të vdekur në Turqi dhe Siri pas një tërmeti të fuqishëm prej 7.8 shkallësh që goditi Turqinë mëngjesin e së hënës.
Në Siri së paku 386 persona kanë vdekur, duke përfshirë 239 persona në rajonet e Aleppos, Hamas, Latakias dhe Tartus.
Abdixhiku: Më trishtoi lajmi për tërmetin në Turqi e Siri
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u ka shprehur ngushëllime familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre si pasojë e tërmetit që ka goditur sot Turqinë dhe Sirinë.
Ai ka potencuar se qytetarët e Kosovës bashkëndjejnë dhimbjen me qytetarët e të dyja vendeve.
“Më trishtoi lajmi për tërmetin që ka goditur Turqinë dhe Sirinë. Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës u shprehë ngushëllime të gjitha familjeve për viktimat e tërmetit të tmerrshëm që i goditi këtë mëngjes. Të gjithë qytetarët e Kosovës bashkëndjejmë dhimbjen dhe solidarizohemi me qytetarët e të dyja vendeve në këto momente të vështira. Lutemi për viktimat dhe familjet e tyre.”, është shprehur Abdixhiku.
Tërmeti në Turqi, Krasniqi: Ndajmë dhimbjen me popullin turk
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka dërguar ngushëllime presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe të gjitha familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre nga tërmeti.
Ai ka potencuar se populli i Kosovës është me ta në këtë periudhë të rëndë.
“Mëngjesi i sotëm na gjeti me lajmin e hidhur që vjen nga Turqia, ku si pasojë e një tërmeti të fuqishëm kanë humbur jetën qindra qytetarë dhe qindra të tjerë kanë mbetur të lënduar, ndërsa fshatra e qytete të shumta kanë pësuar dëme të paimagjinueshme. Në këto momente të vështira dhe tragjike, ndajmë dhembjen me shtetin dhe popullin turk. Presidentit Erdoğan dhe të gjitha familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre, u dërgoj ngushëllimet më të sinqerta.”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Tërmeti në Turqi, më shumë se 1 mijë e 700 ndërtesa të shembura
Raportohet se qindra njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja për shkak të tërmetit 7.8 shkallësh që goditi Turqinë mëngjesin e së hënës.
Zëvendëspresidenti, i Turqisë, Fuat Otkay deklaroi se gati 900 ndërtesa u shkatërruan në provincat Gaziantep dhe Kahramanmaras të Turqisë.

Ndërkaq sipas tij, numri i përgjithshëm i ndërtesave të shembura ka shkuar në 1718.

Begaj: I trishtuar nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë 
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në një reagim në rrjetet sociale ka shprehur mbështetjen për popullin e Turqisë pas tërmetit.
Begaj ka shtuar se ai dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve që humbën të dashurit e tyre
“Thellësisht i trishtuar nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë këtë mëngjes. Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme. Mendimet dhe lutjet tona të sinqerta janë me ata!”, ka shkruar Begaj në rrjetet sociale.
Osmani për tërmetin në Turqi: Kosova gati të ndihmojë përmes FSK-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas tërmetit shkatërrues në Turqi.
Në një postim në Twitter, ajo ka thënë se Kosova është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj përmes FSK-së.
“Zemra ime është për të gjitha komunitetet e prekura nga tërmeti shkatërrues në Turqi. Ngushëllimet më të thella për të gjitha jetët e humbura dhe uroj një shërim të shpejtë për të gjithë të prekurit. Solidaritet i plotë me njerëzit e Turqisë. Kosova është gati të ofrojë mbështetjen e nevojshme përmes FSK-së”, ka shkruar Osmani.

“Njerëzit janë ende të bllokuar nën rrënoja”

Ekipet e shpëtimit në Turqi janë duke kërkuar për të mbijetuarit pas tërmetit 7.8 shkallësh që tronditi Turqinë dhe Sirinë në orët e para të së hënës.

Raportohet se ende ka “Njerëzit që janë ende të bllokuar nën rrënoja”.

Banorët në qytetin turk të Dijarbakirit përshkruajnë atë që kanë parë.

“Pikturat ranë nga muret e shtëpisë”, tha Samer, një banor i kryeqytetit sirian Damaskut.

“U zgjova i tmerruar. Tani jemi të gjithë të veshur dhe qëndrojmë te dera.”

Një person nga qyteti turk i Gaziantepit, Erdem përshkroi ndjenjën e tronditjes “si një foshnjë dridhej në krevatin e saj sa ishte në gjumë”.

Qeveria e Kosovës shpreh ngushëllime për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri

Qeveria e Kosovës ka shprehur ngushëllime për personat që humbën jetën në Turqi dhe Siri pas tërmetit të së hënës.

‘Me dhimbje të madhe morëm lajmin për tërmetin që goditi Turqinë dhe Sirinë, ku humbën jetën shumë qytetarë dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale. Raportet e para tregojnë për pasoja jashtëzakonisht të mëdha në njerëz dhe në objekte banimi.  Qeveria e Republikës së Kosovës u shpreh ngushëllime familjarëve të viktimave të tërmetit. Shpresojmë që në orët në vijim të mos rritet numri i viktimave dhe të lënduarve u urojmë shërim”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Tutje thuhet se populli i Kosovës në këto çaste të vështira janë në gatishmërinë më të lartë për mbështetje dhe solidaritet.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara do të vazhdojë të marrë informatat nga autoritetet vendore në Republikën e Turqisë nëse në qytetet e goditura kemi shtetas tanë dhe t’u ofrojë mbështetjen e nevojshme.

Tërmeti në Turqi, Mehaj: Jemi të gatshëm të ndihmojmë në kërkim-shpëtim
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se populli i Kosovës është me Turqinë në këto kohë të vështira pas tërmetit që ndodhi atje, derisa ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në kërkim shpëtim dhe rimëkëmbje të zonave të prekura.
Mehaj përmes një postimi në Facebook ka uruar që numri i viktimave të dëmeve të jetë sa më i vogël.
“Në këto çaste të vështira për presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe popullin turk lutjet tona janë me ta. Ministrit Akar i shprehim gatishmërinë tonë të plotë që të ofrojmë ndihmë me të gjitha kapacitet tona profesionale për reagim, kërkim-shpëtim dhe rimëkëmbje në zonat e prekura. Urojmë që numri i viktimave dhe dëmeve të jetë sa më i vogël, ndërsa familjeve të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Me vullnet dhe forcë lutemi që ta kaloni këtë sfidë të rëndë!”, ka shkruar Mehaj.
Ambasada e Kosovës në Ankara me njoftim të rëndësishëm pas tërmetit në Turqi
Ambasada e Kosovës në Ankara ka reaguar pas tërmetit prej 7.8 shkallësh që ka goditur Turqinë, mëngjesin e së hënës.

Ambasada ka shprehur ngushëllime popullit turk, teksa ka publikuar numrat kontaktues për qytetarët e Kosovës të cilët në rastin e tërmetit janë ndodhur në Turqi.
“Ndjejmë dhimbje të thellë për viktimat si pasojë e tërmetit që goditi disa provinca të Turqisë në mëngjesin e sotëm. Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për popullin e Turqisë dhe urojmë shërim të shpejtë për të gjithë të prekurit nga ky tërmet”, thuhet në njoftim.
Për raste emergjente nga zonat e prekura nga tërmeti, luten qytetarët tanë të kontaktojnë në numrat emergjentë:
Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99
Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll: +90 531 105 63 91

Krejt çka dihet deri më tani për tërmetin në Turqi
Më shumë se 500 persona kanë vdekur në Turqi dhe Siri pas tërmetit prej 7.8 shkallësh të Rihterit që goditi të hënën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë
Mund të jetë tërmeti më i madh i Turqisë, thotë Stephen Hicks, sizmolog në University College London
Ka pasur më shumë se 40 pasgoditje, sipas Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë
Miliona refugjatë sirianë jetojnë afër epiqendrës. Turqia është pritësi më i madh në botë i refugjatëve me 3.7 milionë sirianë që janë strehuar në vend.
Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe operacioni i shpëtimit mund të pengohet nga moti i ligë.

SHBA gati për ta ndihmuar Turqinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë thellësisht të shqetësuara nga tërmeti që goditi Turqinë, tha këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan.

Presidenti i SHBA Joe Biden ka drejtuar agjencinë ndërkombëtare të zhvillimit të vendit të vlerësojë se si mund të ndihmojë.

SHBA ka shprehur gatishmërinë për ta ndihmuar Turqinë.


Erdogan: Po bëhet gjithçka për ta përballuar situatën
Presidenti i Turqisë Recep Tayip Erdogan ka reaguar pas tërmetit të fuqishëm që ka tronditur disa qytete atje.
Erdogan ka shkruar se ekipet e shpëtimeve janë në vendin e ngjarjes dhe se po bëhet gjithçka për ta përballuar situatën.
Tërmet 7.8 shkallësh në Turqi, mbi 200 të vdekur
Një tërmet i fuqishëm prej 7.8 shkallësh të Rihterit goditi të hënën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë, duke lënë të vdekur qindra persona.
Numri i viktimave besohet se është 360, teksa zyrtarët shëndetësorë në kryeqytetin sirian, Damask, kanë raportuar se 237 persona kanë vdekur në zonat që kontrollohen nga Qeveria siriane.
Qindra persona të tjerë raportohet se janë plagosur në të dy shtetet.
Turqia gjendet mbi një nga linjat më të mëdha sizmike dhe shpesh goditet nga tërmetet.
Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.
Ka pasur edhe tërmete pasuese, përfshirë edhe një në shkallë prej 6.7 shkallësh të Rihterit./21Media

Back to top button