Numri më i lartë i vdekjeve që nga fillimi i vitit, IKSHPK: Kufizoni tubimet publike

 

Që nga fillimi i vitit 2021 sot është regjistruar numri më i lartë i vdekjeve të shkaktuara nga Covid-19.
Brenda 24 orëve janë raportuar 14 vdekje.

Pas kësaj ka reaguar Institutui Kombëtar i Shëndetësisë Publike, duke u shprehur ngushëllime familjarëve e duke bërë apel për respektimin e masave

“Mjekët në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinzar e shkatrrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale dhe njerëzore.Numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë i lartë dhe brengosë si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhimit të masave.IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.”, thuhet në reagim.

Po ashtu IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

“Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike. Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.”, përfundon reagimi i IKSHPK-së.

Përvec rasteve të vdekjes, sot janë raportuar edhe 289 raste pozitive nga 1 mijë e 468 mostra të testuara./21Media

Back to top button