I nxehti afrikan arrin në Shqipëri

Deri të mërkurën mbi 40 gradë

Fundjava ka risjellë temperatura të larta në të gjithë territorin e Shqipërisë .Sipas meteorologëve, vendi është prekur sërish nga masa ajrore të nxehta, që vijnë nga Afrika, çka ka bërë që temperaturat të pësojnë një rritje të ndjeshme.

Të hënën pritet të ketë një tjetër rritje, ku temperaturat do të shënojnë deri në 40 gradë celcius, në zonat e ulëta dhe jug të vendit dhe kështu do të vijojë deri ditën e mërkurë. Nisur nga këto temperatura, mjekët u bëjnë thirje qytetarëve, sidomos të moshuarit, ata me sëmundje kronike, por edhe fëmijët e vegjël të bëjnë kujdes, të evitojnë daljet pas orës 11 paradite dhe të konsumojnë sa më shumë ujë.

Nga ana tjetër, mjekët sugjerojnë ushqim të lehtë në këto tempratura dhe kujdes i veçantë për produktet ushqimore që konsumohen, larjen mirë të fruta-perimeve dhe ruajtjen e të gjithë produkteve në ambient të freskët.

Ditën e enjte, theksojnë meteorologët, do të nisë të freskojë disi, pasi temperaturat do të fillojnë të bien në mënyrë graduale. Fundjava që vjen, sipas meteorologëve, parashikohet të shoqërohet me reshje shiu dhe temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme.

Back to top button