Shkupjanët parkojnë aty ku kanë punë

Këmbësorët ankohen se e kanë të vështirësuar kalimin shkaku i veturave të parkuara në zonat e ndaluara

Në qendër të Shkupit, qytetarët po i parkojnë veturat e tyre kush ku të arrijë më parë. Në lokacionin Kej buzë shëtitores së Lumit Vardar, ndonëse është i ndaluar parkimi, aty është e mbushur me vetura. Këtu lejohet vetëm kalimi i automjeteve të autorizuara me leje nga Qyteti i Shkupit, por qytetarët gjejnë shtegun ilegal që të arrijnë të parkohen nën hije. Madje ka disa prej tyre që afrohen me veturë deri tek dera e kafeneve.

“Nëse është e ndaluar më nuk do të parkohem, do të gjej diku tjetër. Në parkingun matanë kur më kanë ardhur disa miq nga Turqia, ia kanë thyer dritaren e veturës, andaj më nuk ndaloj aty. Në garazhin me kate, me duhet të ngjitem në katin e 10-të e nuk mundem, këtu më vjen më afër”, tha Erkan Akansu.

Gjendje e ngjashme është edhe tek fillimi i Çarshisë së qytetit, që lidh sheshin kryesorë. Këmbësorët ankohen se e kanë të vështirësuar kalimin shkaku i veturave të parkuara në zonat e ndaluara.

“I gjithë shteti është jo normal e le më ky problem, por do të bëhet mirë. Po kujt nuk i pengojnë këto vetura. Ai me qenë i mençur nuk parkohet këtu. Po, çfarë masa të ndërmerren kur dihen veturat e kujt janë, është i dikujt në qeveri, është i ndonjë të afërmi atje lart, që nuk guxojnë t’i bëjnë asgjë”, tha Nimetulla Demiri.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se qytetarët nuk i respektojnë zonat e ndaluara për këmbësorë dhe përveç masave të këtij institucioni, kryetari Koce Trajanovski thotë se edhe policia duhet të angazhohet më tepër.

“Ne i kemi ndërmarrë masat, por besoni që ndaj atyre që i thyejnë rregullat nuk mund të reagojmë aq shpejtë. Për shkak se në çdo vend ku i vendosim barrierat, i heqin gjatë natës. Policia duhet të reagoj më shumë, kanë reaguar edhe shërbimet tona të inspektorëve dhe punëtorët e parkingjeve, por ata nuk kanë të drejtë të shqiptojnë dënime. Nuk kanë autoritet të legjitimojnë qytetarët dhe ti vënë gjobë”, tha Trajanovski.

Madje këtu kalon edhe vetura e policisë, ku pa u brengosur për bllokimin e trotuarit, polici ndalon për punët e veta.

Back to top button