OAK me propozime për rimëkëmbje: Subvencionim të pagës për biznese

 

Oda e Afarizmit të Kosovës po kërkon nga qeveria e ardhshme që të subvencionojë pagat e punëtorëve të bizneseve, të cilat janë goditur nga pandemia. Ndërkohë që, sipas OAK këto paga të subvencionuara nuk duhet të jenë më të ulëta se 220 euro, ose mbulim i 70% të pagës. Kërkesë tjetër është edhe krijimi i Gjykatës Ekonomike, Ligji për Tregti të Brendshme dhe që Kosova të largohet nga CEFTA si UNMIK dhe të aplikojë si Republikës e Kosovës.

Këto janë vetëm disa nga kërkesat që OAK ka për qeverinë e ardhshme, e si të tilla do të t’iu dorëzohen edhe partive politike javën e ardhshme.

Kryetari i bordit të OAK, Skënder Krasniqi ka thënë sot se ofrimi i përkrahjes së institucioneve në kohë pandemie për bizneset e Kosovës ka qenë i mangët dhe se kjo ka shkaktuar sfida të shumta për to.

“Jemi të vetëdijshëm se vetëm vitin e kaluar, vetëm në tremujorin e dytë kemi humbur mbi 60 mijë vende të punës, me të cilat jemi praktikisht shteti me më së shumti humbje të vendeve të punës, si rezultat i mospërkrahjes të mjaftueshme të shtetit për bizneset edhe në kohë reale kur do të duhej të intervenohej”, ka deklaruar ai.

Oda e Afarizmit të Kosovës ka bërë disa propozime për partitë politike, të cilat mund të përfshihen në plan programet e tyre në mënyrë që bizneset të ndryshojnë për të mirë. Në mesin e këtyre kërkesave, me theks të veçantë është edhe subvencionimi i pagave të të punësuarit në bizneset që janë të goditura nga pandemia.

“Propozim konkret është që të subvencionohen pagat për të punësuarit e bizneseve të goditura nga pandemia, dhe që të jenë jo më të ulëta se 220 euro në muaj ose 70 përqind të pagës. Krijimi i arkës ‘Patriot’ që kemi insistuar dhe insistojmë vazhdimisht ku çdo produkt vendor subvencionohet në dalje me 10 përqind ulje nga TVSh. Me këtë do të subvencionohet shumë prodhimi vendor dhe do të kenë mundësinë jo vetëm të ruajtjes së vendit të punës, por edhe rritje të vendeve të punës në Kosovë. Marrë parasysh që Kosova është vendi i vetëm ku 90 përqind importon dhe 10 përqind eksporton. Të subvencionohet eksporti me 10 përqind të shumës së eksportuar”, ka thënë Krasniqi.

Në mesin e propozimeve për qeverinë e ardhshme, OAK ka kërkuar edhe që deklarimi dhe pagesa e TVSh-së të bëhet për çdo tre muaj. Sipas Krasniqit, kjo si rezultat i mosfunksionimit të gjykatave dhe mosekzistimit të Ligjit për Falimentimin dhe vonesave të mëdha të pagesave nga ana e debitorëve.

Veç tjerash, Krasniqi ka deklaruar se OAK kërkon nga qeveria e ardhshme që të largohet kamata prej 5 deri në 8% nga bankat komerciale për kthimin e parave të imëta në kartëmonedha.

“Ligji për Tregti të Brendshme është një ligj që i mungon shumë Kosovës dhe me këtë shteti ka krijuar anarki në biznes ku çdo 50 metra hapet një shitore apo 10 metra, çdo 50 metra hapet një pompë e benzinës dhe me këtë realisht shteti nuk po e luan rolin e vet që duhet ta luajë. Mungesa e këtij ligji është duke sjell këtë gjendje dhe ne kërkojmë që të kemi një Ligj për Tregti të Brendshme dhe asnjë vendim dhe leje mos të jepet pa një analizë se a ka nevojë ajo rrugë apo ajo lagje të ketë më shumë shitore apo lokale. Kërkesë tjetër është edhe Ligji për Falimentim. Edhe me këtë po dëmtojnë bizneset sepse po punojnë vetëm me biznese jo të rregullta për të cilat shteti nuk reagon”, ka theksuar ai.

Kryetari i bordit të OAK-ut ka theksuar se Kosova është i vetmi vend që detyron biznesin të paguajë për 6 muaj pushimin e lehonisë, ndërkohë që në të njëjtën kohë biznesi paguan dy paga. E që kjo sipas tij, ka ndikuar edhe që numri i të punësuarve gra të jetë i ulët, vetëm 13 përqind e tyre që janë në moshë pune janë të punësuara.

Krasniqi ka shtuar se kërkesë e tyre është edhe që Kosova të largohet nga CEFTA si UNMIK dhe të aplikojë si Republikës e Kosovës.

Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar nga qeveria e ardhshme që të zvogëlojë tarifën e shumës së paguar nga qytetarët në bizneseve nëpërmjet posave nga 1-3 për qind të shumës. Po ashtu, të iu mundësohet marrja e kredive për investime afatmesme me grejs periudhë, minimum 12 muaj dhe me kamata vjetore nën 3%, duke shfrytëzuar Fondin për garancinë kreditore dhe të ulet norma bazë e interesit të BQK-së në 1.7% në mënyrë që bankat komerciale të kenë mundësi që të ulin kamatat e tyre.

Back to top button