OBSH raporton rritje rekorde të infeksioneve të reja

 

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka regjistruar një rritje rekord një-ditore të numrit të të infektuarve me koronavirus, me 307 mijë e 930 të raportuara gjatë 24 orëve.

Numri i rasteve të vdekjes u rrit me më shumë se 5 mijë e 500, duke e çuar totalin global në 917 mijë e 417.

Numri më i madh i rasteve të infeksioneve u raportuan në Indi, SHBA dhe Brazil, transmeton rtv21.tv.

Në të gjithë botën ka më shumë se 28 milionë raste të konfirmuara, gjysma e të cilave janë në Amerikë.

Rekordi i mëparshëm një ditor për rastet e reja ishte më 6 shtator kur OBSH raportoi 306 mijë e 857 infeksione të reja.

Sipas OBSH, India raportoi 94 mijë e 372 raste të reja të dielën, pasuar nga SHBA me 45 mijë e 523 dhe Brazili me 43 mijë e 718.

Më shumë se 1.000 vdekje të reja u regjistruan në SHBA dhe Indi ndërsa Brazili tha se 874 njerëz kishin vdekur nga sëmundja Covid-19 në 24 orët e fundit.

India ka numrin e dytë më të madh të rasteve të konfirmuara në botë, pas SHBA-ve. Javën e kaluar ajo raportoi gati dy milionë raste me Covid-19 në gusht, numri më i lartë mujor në botë që nga fillimi i pandemisë.

Brazili ka regjistruar më shumë se katër milionë raste, i treti më i lartë në botë. Ai ka numrin më të lartë të vdekjeve në Amerikën Latine, me rreth 131 mijë deri më tani.

SHBA ka regjistruar gati një të katërtën e numrit të përgjithshëm të rasteve të koronavirusit në botë – më shumë se gjashtë milionë. SHBA pa një rritje në numrin e rasteve ditore në korrik, por numrat kanë rënë që nga ajo kohë. SHBA ka numrin më të lartë të regjistruar të vdekjeve në botë nga Covid-19, me më shumë se 194 mijë viktima./21Media

Back to top button