Kaloni te përmbajtja kryesore

OBSH: Shpërthimi i koronavirusit po përkeqësohet

Koronavirusi mbërrin edhe në Afrikën sub-sahariane

Shpërthimi i koronavirusit “po përkeqësohet”, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë sot, pasi Nigeria konfirmoi rastin e parë në Afrikën Nën-Sahariane.

OBSH-ja përsëriti paralajmërimin e saj se koronavirusi mund të arrijë shumicën e vendeve të botës, “nëse jo të gjitha”.

Zëdhënësi Christian Lindmeier tha për gazetarët në Gjenevë se OBSH-ja është duke i shqyrtuar raportet për disa persona të riinfektuar me koronavirus.

Megjithatë, shtoi ai, një person, i cili ka pasur koronavirus, “do të duhej të ishte imun së paku për një kohë”.

Edhe Zelanda e Re, Bjellorusia, Holanda, Lituania dhe Meksika kanë konfirmuar sot rastet e para të të prekurve me koronavirus. Sot është regjistruar edhe vdekja e parë e një britaniku nga koronavirusi, i cili ka vdekur në Japoni.

Kina ka konfirmuar 327 raste të reja sot, shifër kjo më e ulëta ditore në një muaj, dhe 44 vdekje. Për herë të parë në dekada, Irani ka anuluar lutjet e së premtes për të kufizuar përhapjen e virusit.

Në këtë vend numri i të infektuarve ka arritur në 388 ndërsa i të vdekurve në 34.

Koronavirusi, i identifikuar si COVID-19, e ka origjinën në qytetin Vuhan të Kinës. Rastet e para atje janë shfaqur në dhjetor të vitit të kaluar, por që atëherë dhjetëra shtete të botës kanë konfirmuar se kanë njerëz të infektuar.

Shifrat e fundit, të raportuara nga autoritetet shëndetësore të secilës qeveri të në Pekin, tregojnë se koronavirusi ka infektuar mbi 83,000 njerëz në gjithë botën, ndërsa mbi 2,800 pacientë kanë vdekur.

Numri më i madh i rasteve është në Kinë, ndërsa pas saj vijnë Koreja e Jugut, Japonia, Italia, Irani, Singapori e të tjera.

Koronavirusi ka simptome të ngjashme me pneumoninë. Shenjat kryesore të infektimit janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje. Ndikimet e koronavirusit në ekonomi po rriten, pasi investitorët thanë se janë në pritje të një recesioni global./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button