OBSH: Vaksinat efektive, por udhëtimet ende nuk janë të sigurta

 

Këshilli i Bashkimit Evropian ka rekomanduar që qytetarët e vendeve të treta, përfshirë ata nga Ballkani Perëndimor, që janë vaksinuar me dy doza kundër koronavirusit në vendet e tyre, do të mund të udhëtojnë në Bashkimin Evropian pa kufizime.

BE-ja ka në plan të miratojë “certifikatat digjitale”, për banorët e vendeve të Bashkimit Evropian të cilat do të shërbejnë për udhëtime brenda bllokut. Derisa të bëhet miratimi i tyre, BE-ja ka vendosur që të pranojë certifikatat e lëshuara nga vendet e treta dhe ato duhet të përmbajnë një minimum të të dhënave, bazuar në legjislacionin kombëtar, që do të dëshmojnë autenticitetin, vlefshmërinë dhe integritetin e dokumentit.

“Nëse vendet e BE-së pranojnë prova të vaksinimit, ato në parim duhet të heqin kufizimet në udhëtimet jo-thelbësore për udhëtarët e vendeve të treta që kanë marrë dozën e dytë të vaksinave të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave të paktën 14 ditë para arritjes në territorin e BE-së”, thuhet në rekomandim.

Në zhvillim e tjera Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se përmirësimi i situatës së pandemisë mbetet ende ne nivel të “brishtë” dhe bëri thirrje që të shmangen udhëtimet ndërkombëtare.

“Të përballur me një kërcënim të vazhdueshëm, dhe pasiguri, ne duhet të tregojmë kujdes”, tha drejtori për Evropën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge.

I ashtuquajturi variant indian i koronavirusit të ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19, i cili mund të jetë më i transmetueshëm, tani është identifikuar në të paktën 26 nga 53 vendet në rajonin evropian, tha Kluge gjatë konferencës së tij javore për media. Por, ai tha se vaksinat e autorizuara janë efektive kundër llojit të ri./21Media

Back to top button