Oda Amerikane: Pozita të larta publike të bazohen në profesionalizëm

Reagon edhe Oda Ekonomike Amerikane

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se organizatat e pavarura publike duhet të jenë të mbrojtura nga ndikimi politik.

Në këtë aspekt, Oda Amerikane shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për emërimin e udhëheqësisë së re të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës në kundërshtim me rekomandimin i cili ka pasuar një proces transparent dhe meritokratik të rekrutimit.

“Pavarësisht mbështetjes që ofrohet për procesin e rekrutimeve publike, Kosova vazhdon të ballafaqohet me emërime në pozita udhëheqëse publike, të individëve të cilët nuk e kanë ekspertizën e nevojshme profesionale dhe nuk demonstrojnë sjellje në pajtim me ligjin dhe standardet më të larta etike”, thuhet në një komunikatë të Odës Ekonomike Amerikane.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me faktin se deputetët e Kuvendit mbështetën vendimin e tyre në nepotizëm në vend të profesionalizmit, kështu që u bënë thirrje atyre që të vlerësojnë meritokracinë në vend të lidhjeve politike, për të mirën e qytetarëve të Kosovës.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Ambasada britanike në Kosovë duke shpreh keqardhje për vendimin e Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur, Naser Shalën drejtor të sekretariatit ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Gjithashtu dje përmes një postimi në “Twitter”, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt ka reaguar në lidhje me zgjedhjen e Naser Shalës drejtor ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, nga Kuvendi i Kosovës./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button