Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare: Paqëndrueshmëria politike dëmton besimin e investitorëve

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka deklaruar se anëtarët e saj janë të shqetësuar se kompanitë gjermane mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë, ose të ndërpresin aktivitetet ekzistuese. Përmes një deklarate, është bërë thirrje që të ndermirën hapa për rivendosjen e një mjedisi të qëndrueshëm politik.

OEGjK ka thënë se lajmet për paqëndrueshmëri politike dëmtojnë besimin e klientëve dhe investitorëve gjerman në mënyrë të konsiderueshme.

“Anëtarët e OEGJK-së janë të shqetësuar se kompanitë gjermane mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë, ose të ndërpresin aktivitetet ekzistuese. Lajmet për paqëndrueshmëri politike dëmtojnë besimin e klientëve dhe investitorëve gjermanë në mënyrë të konsiderueshme. Kjo ndikon negativisht në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare dhe i shkakton dëm Kosovës, si lokacion për investime dhe biznes”, është theksuar në deklaratë.

Në deklaratë është thënë se lehtësimi i tensioneve ndikon në krijimin e një klime të mirë të të bërit biznes.

“Lehtësimi i tensioneve dhe nxitja e zhvillimit të një mjedisi të qëndrueshëm janë faktorë të rëndësishëm për krijimin e një klime të mirë të të bërit biznes. U bëjmë thirrje vendimmarrësve politikë në Kosovë që të ndërmarrin hapa për rivendosjen e një mjedisi të qëndrueshëm politik”, është thënë tutje në reagim.

Back to top button