Hoti: Për shkak të qëllimeve elektorale po rritet rëndësia e Rezolutës 1244
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti përmendi disa pika për të cilat ka thënë se po ndikojnë në rritjen e rëndësisë së Rezolutës 1244 në menaxhimin e sfidave të sigurisë në Kosovë.
“(1) mungesës së rezonit shtetëror në menaxhimin e interesave shtetërore të Kosovës, (2) ndjekjes së qëllimeve të ngushta elektorale në vendime të natyrës strategjike e të sigurisë nacionale, si dhe (3) pa koordinim me aleatët në këto vendime, po krijohen situata që e rrisin rëndësinë e Rezolutës 1244 në menaxhim të sfidave të sigurisë në Kosovë”, shkroi Hoti në Facebook.
Sipas tij kjo përbën kthim prapa.
“Në qeveritë paraprake, në pamundësi që Rezoluta 1244 të anulohet formalisht në Këshillin e Sigurisë të OKB-së, është punuar me aleatët në zbehjen totale të rëndësisë së saj. Kjo qasje ka përfshirë edhe raportimin më të rrallë në OKB dhe me përfaqësim gjithnjë e më të ulët nga ana e Kosovës. Shpresoj që këto situata të mos jenë të pakthyeshme në Qeverinë e ardhshme të Kosovës, e cila duhet të kthejë menjëherë normalitetin në vend dhe bashkëpunimin e ngushtë dhe të domosdoshëm me aleatët”, tha ai./21Media