Oficerët e Policisë të bëhen avokues për barazinë gjinore

”Angazhimi i burrave në avokim për barazi gjinore paraqet shembull të mirë për institucionet e tjera në atë se si të punohet drejt barazisë gjinore”

Tryeza e rrumbullakët dyditore, e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, mbi rolin e zyrtarëve të lartë policorë burra në promovimin e barazisë gjinore, përfundoi punimet e saj më 17 maj 2017 në Prevallë, në komunën e Prizrenit.

“Jam krenar që Policia e Kosovës ka pranuar të jetë pjesë e këtij procesi pionier. Angazhimi i burrave në avokim për barazi gjinore paraqet shembull të mirë për institucionet e tjera në atë se si të punohet drejt barazisë gjinore”, tha Jan Braathu, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, në adresimin e tij para pjesëmarrësve.

Siç bëhet e ditur në komunikatën e dërguar për media, në tryezën e rrumbullakët pjesëmarrësit rivlerësuan rolet aktuale gjinore në Kosovë, diskutuan për stereotipat e normat gjinore, si dhe çfarë mund të bëjnë burrat e gratë për ta tejkaluar pabarazinë. Ata erdhën në përfundimin që për avancim të mëtejmë të Policisë së Kosovës në një forcë policore me shumëllojshmëri gjinore, zyrtarët burra duhet të bëhen avokues të barazisë gjinore.

Drejtorët e tetë drejtorive rajonale policore u zotuan të ndërmarrin hapa të vegjël, por konkretë, drejt arritjes së shumëllojshmërisë, duke përfshirë miratimin e rregulloreve të brendshme që kanë parasysh elementin gjinor për sa i përket balancës mes punës e jetës, trajnime të specializuara, dhe procese rekrutuese e mjedise pune me ndjeshmëri gjinore.

Shaban Shala, Drejtor i drejtoratit rajonal të Policisë së Kosovës në Pejë, theksoi se “gratë duhet të jenë në pozita vendimmarrëse dhe shpresoj se nuk do të kemi nevojë ta diskutojmë këtë çështje edhe shumë gjatë.”

Në këtë tryezë të rrumbullakët morën pjesë drejtorë rajonalë të policisë dhe komandantë të stacioneve policore, përfaqësues të Shoqatës së Grave të Policisë së Kosovës, si dhe Forumit të Gjyqtareve dhe Prokuroreve. Tryeza është pjesë e përpjekjeve të Misionit për të shtuar angazhimin e burrave në promovimin e barazisë gjinore në institucionet e sigurisë publike./21Media

Back to top button