Ohri rrezikon ta humbë statusin e UNESCO-s?!

 

 

UNESCO-ja e shqetësuar për rrezikun që i kanoset Liqenit të Ohrit për tu vendosur në listën e trashëgimisë botërore. Raporti i UNESCO vë në dukje një numër vërejtjesh, të cilat nuk janë zbatuar në vitet e fundit, në lidhje me dështimin në trajtimin e ndërtimeve të paligjshme, por gjithashtu edhe projekte të caktuara që janë kërcënim për rajonin.

UNESCO së fundmi po i ashpërson kriteret në mbarë botën dhe lista e rajoneve të rrezikuara po rritet nga viti në vit. Andaj edhe Ohri është vendosur në listën e rrezikuar.

Kryetari i Komunës së Ohrit, Konstantin Georgiev shpreson se UNESCO do t’i vërejë ndryshimet pozitive dhe ai është i bindur se nuk do ta humbin statusin e UNESCO-s.

“Tërë kohën dërgojmë raporte progresi. Raporte të tilla për vënien e Ohrit në listë të zezë kemi patur edhe më pare, kështu që në senacë nuk është sjellë vendim i tillë. Por do të shohim se çfarë do të jetë përgjigja e UNESKO-s lidhur me vërejtjet që do t’i dërgojmë. Me rëndësi ne kemi komunikim tani me UNESKO-n dhe me trupat këshilldhënës, për dallim në të kaluarën. Po menaxhohet e tërë puna”, tha  Georgiev.

Euroambasadori Dejvid Gir thotë se trashëgimia natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit kërkon përkushtim të fuqishëm qeveritar për implementim të të gjitha rekomandimeve.

“Ruajtja e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Rajonit të Ohrit kërkon përkushtim të fuqishëm qeveritar për implementim të të gjitha atyre rekomandimeve, që kërkon koordinim më të madh mes ministrive përgjegjëse dhe institucioneve të tjera. E tërë kjo kërkon edhe angazhim në nivel nacional dhe lokal, që do të mbështetet me buxhet adekuat. Misioni për ruajtjen e rajonit për njerëzimin, sipas tij, duhet të ketë mbështetje nga të gjitha forcat politike. Ajo duhet të jetë ndërhyrje dhe aktivitet nacional, i cili do t’i bashkojë të gjithë faktorët në shoqëri, si në nivel nacional, ashtu edhe në atë lokal dhe të jetë në partneritet mes autoriteteve, shoqërisë civile, bashkësive lokale dhe bizneseve lokale”, potencoi euroambasador.

Ohri disa herë ka pasur raporte për vendosje në listë të zezë në UNESCO por që janë hedhur poshtë nga këshilli i kësaj organizate. Në seancën e qershorit autoritetet ndërkombëtare do të vendosin nëse Ohri do të vazhdojë të ruaj ende statusin e UNESCO-s./TV21

Back to top button