Twitter dhe Facebook bllokojnë llogaritë e ‘Kuzhinierit të Putinit’

 

 

Rrjetet sociale Twitter dhe Facebook kanë bllokuar llogaritë e oligarkut rus Yevgeny Prigozhin.

Siç njofton kompania e tij Concord, llogaritë që i përkisnin Prigozhin, i cili njihet si “Kuzhinier i Putinit” për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin u bllokuan “pa shpjegime”.

Sipas medieve ruse, kompania tha se besonte se llogaritë e tij ishin bllokuar për shkak të komenteve mbi urdhrin ekzekutiv të presidentit amerikan Joe Biden që ndryshoi vendimin e paraardhësit të tij Donald Trump për personat transgjinorë që shërbejnë në ushtri.

Concord tha se vendimi i Facebookut dhe Twitterit për të bllokuar llogaritë e Prigozhini është “përfundimtar”.

Kohë më parë, Departamenti amerikan i Thesarit kishte vendosur sanksione kundër personave dhe njësive që kanë lidhje me organizatorin dhe financuesin që është i lidhur me Kremlinin për të ashtuquajturën “fabrika ruse e lajmeve të rreme”, pas ndërhyrjeve të dyshuara në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara dhe ato në vendet tjera.

Sanksionet amerikane kanë kohë që ekzistojnë kundër Prigozhinit dhe kompanive të tij të njohura, përfshirë Agjencinë e Kërkimit në Internet (IRA) dhe Grupit Wagner, një forcë mercenare ruse aktive në Libi, Siri dhe Afrikë.

Back to top button