Iu dha lamtumira fundit juristit Bajram Kadriu

 

Pas ndarjes nga jeta të jursitit shqiptar në Anamoravë, Bajram Kadriu ë shenjë respekti për jetën dhe veprën e tij sot gjatë ditës është mbajtur një mbledhje komemorative e organizuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës në Gjilan.

Kadriu u varros sot në varrezat e fshatit Zhegër në Gjilan.

Për vdekjen e tij mbrëmë njoftoi kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri përmes një postimi në rrjetet sociale, ku edhe e vlerësoi lartë punën e tij.

“Paska ikur nga kjo botë avokati, Bajram Kadriu. Pas Osman Arifit, Bajram Kelmendit e Nekibe Kelmendit, Bajram Kadriu mbetet engjëlli mbrojtës në grupin e të akuzuarve në Gjilan për liri, demokraci e pavarësi të shqiptarëve. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, shokëve e kolegëve. Falëmnderit, Avokati im!”, ka shkruar Haziri.

Bajram Kadriu ka pasur poste të ndryshme në fushën e drejtësisë, gjatë karrierës së tij.

Më 1 gusht të vitit 1967 është emëruar gjyqtar në Gjykatën Komunale në Gjilan. Më 29 dhjetor 1969 u emërua gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Gjilan. Në vitin 1966-67 duke punuar si gjykatës ka qenë njëherit edhe ligjërues në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë-dega në Gjilan në cilësi të Profesorit të Sociologjisë.

Nga gushti i vitit 1970 është zgjedhur Kryeprokuror i Qarkut në Gjilan. Mbi shtatë vjet ka punuar në këtë prokurori për regjionin e Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës.

Për sa kohë sa ka punuar në Prokurorinë e Qarkut në Gjilan kreu provimet e shkallës së tretë në Fakultetin Juridik në Zagreb për të magjistruar.

Për ta organizuar punën sipas reformave të reja të sistemit të drejtësisë është zgjedhur Kryetar i Gjykatës Komunale në Gjilan ku ka punuar katër vjet deri në pranverën e vitit 1981.

Nga pranvera e vitit 1981 deri më 12 maj 1989 ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Gjilan në lëndët e shkallës së parë penale.

Kur filluan të suspendohen organet më të larta të Kosovës, siç janë Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe udhëheqësitë më të larta në Kosovë, Bajram Kadriu ka dhënë dorëheqje nga pozita e gjyqtarit të Gjykatës së Qarkut në Gjilan për çka ka qenë i ftuar në Komitetin Komunal në Gjilan përmes Kryetarit të Gjykatës.

Edhe pse ka pasur pengesa për regjistrim në Odën e Avokatëve të Kosovës, pas tre muajve pas largimit nga gjykata, arriti të regjistrohet më 12 maj 1989 prej kur ka filluar ta ushtrojë detyrën e avokatit.

Me vendimin për ç’regjistrim, më 31 janar 1997, ka fituar të drejtën e pensionit. Deri në dhënien e kërkesës për pension ka pasur përvojë pune gjithsej 35 vjet e shtatë muaj.

Bajram Kadriu mbahet mend në publikun kosovar për kundërshtimet e fuqishme të inskenimeve serbe gjyqësore siç ishte Rasti Martinoviq ku kundërshtoi me ngulm etiketimin e padrejtë kinse dhunues ishin shqiptarët. Pastaj, rasti kur mbrojti grupin e të rinjve të Gjilanit për liri, pavarësi dhe demokraci.

Poashtu njihet për rastin e Sylejman Mshicës kur kundërshtoi fuqishëm padrejtësinë ndaj të akuzuarit kinse për vepër armiqësore dhe rastin e Afrim Zeqirit të cilin në rolin e avokatit mbrojtës vullnetarisht e mbrojti deri në lirimin e tij./21Media

Back to top button