OKB dënon Rusinë për aneksimin e tokave të Ukrainës

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi sonte më 12.10.2022 me shumicë të madhe një rezolutë që dënon Rusinë për vendimin e saj për aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës bazuar në rezultatet e referendumit, të mbajtur në kushte lufte dhe pa praninë e popullatës refugjate, thonë mediat botërore.
Siç raporton CNN, 143 vende votuan për rezolutën e propozuar nga vendet perëndimore, e cila e shpall të paligjshëm aneksimin e rajoneve Kherson, Zaporizhia, Donetsk dhe Lugansk. Pesë vende ishin kundër dhe 35 vende abstenuan nga votimi. Serbia është ndër vendet që e mbështetën rezolutën.
Koreja e Veriut, Bjellorusia, Nikaragua, Siria dhe Rusia votuan kundër rezolutës.
Ndër vendet që abstenuan nga votimi janë Kina, India, Kazakistani, Armenia, Kirgistani, Taxhikistani, Uzbekistani, Mongolia, Pakistani, Kuba dhe shumë vende afrikane, përfshirë Afrikën e Jugut.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e quajti rezolutën “historike” në postimin e tij në Twitter dhe falënderoi vendet që e mbështetën atë.
Rezoluta kërkon që Moska të braktisë menjëherë aneksimet e saj dhe të tërheqë trupat e saj nga territori brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Rusisë.
Kjo është rezoluta e katërt e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që nga fillimi i luftës në Ukrainë që dënon Rusinë për pushtimin e këtij vendi./21Media

Back to top button