OKB: Dhjetë milionë ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për refugjatët, Filippo Grandi, tha në Twitter se 10 milionë njerëz tani kanë ikur nga shtëpitë e tyre në Ukrainë si rezultat i pushtimit të Rusisë, pra më shumë se një e katërta e popullsisë së saj.
Lufta e Rusisë në Ukrainë filloi më 24 shkurt dhe që atëherë miliona njerëz kanë ikur në vendet fqinje. Polonia ka mirëpritur më shumë se dy milionë refugjatë dhe më shumë se gjysmë milioni ukrainas kanë ikur në Rumani.
”Në mesin e përgjegjësive të atyre që nxisin luftëra kudo në botë, është dhimbja e shkaktuar ndaj civilëve të cilët detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre. Lufta në Ukrainë është aq shkatërruese sa që dhjetë milionë persona janë zhvendosur brenda vendit, apo si refugjatë jashtë Ukrainës”, tha shefi i UNHCR, Filippo Grandi.
UNHCR tha se 3,389,044 ukrainas janë larguar nga shteti që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt. Ndërkaq, 60,352 persona vetëm të shtunën janë larguar nga vendi./21Media

Back to top button