OKB voton rezolutën: Rusia të dëmshpërblejë Ukrainën për dëmet e luftës

94 votuan pro, 14 kundër, ndërsa 73 shtete abstenuan

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të hënën një rezolutë, nëpërmjet së cilës kërkohet që Rusia, duke pushtuar Ukrainën, të shpallet përgjegjëse për shkeljen e ligjit ndërkombëtar dhe për pasojë të paguajë edhe dëmshpërblimet për dëmet e luftës.
Gjatë votimit në OKB, ku bëjnë pjesë 193 shtete anëtare, 94 votuan pro, 14 kundër, ndërsa 73 shtete abstenuan.
Kjo rezolutë pati një nivel më të ulët mbështetje, krahasuar me 5 rezolutat e tjera për Ukrainën, të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, që nga nisja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt 2022.
Rezoluta pasqyron nevojën për të krijuar “një mekanizëm ndërkombëtar për kompensimin e dëmeve”, që rrjedhin nga “veprimet e gabuara” të Rusisë kundër Ukrainës.
Rezoluta rekomandon që vendet anëtare të Asamblesë, në bashkëpunim me Ukrainën, të krijojnë “një regjistër ndërkombëtar” për të dokumentuar pretendimet dhe informacionet mbi dëmet, humbjet ose dëmtimet e ukrainasve dhe qeverisë, të shkaktuar nga Rusia./21Media

Back to top button