“Kosova dhe Serbia t’i shmangin veprimet që pamundësojnë arritjen e marrëveshjes”

Apostolova: Ne duam që Kosova të ketë sukses

Rumania mbështet dialogun dhe domosdoshmërinë e sigurimit të një marrëveshje më përputhje me vlerat themelore të BE-së, tha shefi i zyrës ndërlidhëse të Rumanisë në Prishtinë, Daniel Onişor.

Sipas tij prioritet i Presidencës Rumune të Këshillit të Bashkimit Evropian, është gjetja e bazës së përbashkët për përparim.

Në anën tjetër, shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se autoritetet duhet të sigurojnë arsim cilësor dhe siguri ligjore.

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Rumanisë, Daniel Onişor ka theksuar se Rumania e mbështet dialogun mes Serbisë e Kosovës, për një marrëveshje në përputhje me vlerat evropiane. Mirëpo, sipas tij, të dyja palët duhet t’i shmangin veprimet që pamundësojnë arritjen e marrëveshjes.

“Ne duam të theksojmë se qasja jonë gjatë presidencës, do të jetë një ndërmjetësi të ndershme, pavarësisht nga pozicioni kombëtar për statusin e Kosovës. Siç jeni në dijeni, kjo qasje pozitive nga ana jonë bën të mundur nisjen e studimit të fizibilitetit, i cili përfundoi me nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit, fillimin e procedurave për liberalizimin e vizave dhe mund të vazhdojnë me shembuj. Rumania mbështet dialogun dhe domosdoshmërinë e sigurimit të një marrëveshje më përputhje me vlerat themelore të BE-së. Harmonia sociale dhe respektimi i pjesëtarëve të pakicave kombëtare janë pjesë e këtyre vlerave. Në veçanti, ne besojmë se është e rëndësishme për të dyja palët dhe akterët relevant politik të abstenojnë nga çdo gjest që minon mundësinë e arritjes së një marrëveshje”, tha ai.

Duke treguar kështu prioritetet e presidencës së Rumanisë në Prishtinë, ai mes tjerash tha se duke pasur parasysh perspektiven e zgjedhjeve evropiane në maj, do t’i kushtojnë rëndësi përpjekjeve për të avancuar dhe mbyllur sa më shumë dosje legjislative në muajt e parë të mandatit.

“Detyra jonë si Presidencë ,do të jetë gjetja e bazës së përbashkët për përparim. Ne jemi te bindur se çelësi për këtë rrugë është kohezioni dhe për këtë arsye e kemi zgjedhur për moton tonë dhe temën qendrore të presidencës sonë ‘Kohezioni si një vlerë e përbashkët evropiane’”, tha ai.

Ndërsa, shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se është kënaqësi të shoh që prioritet i Presidencës Rumune, është fokusimi në proces të zgjerimit të BE-së, lajm ky që sipas saj është shumë i mirë për Kosovën dhe rajonin e Ballkanin në tërësi.

“Të gjithë duam që Kosova të ketë sukses dhe të jemi të lumtur me çdo përparim të bërë. Duam të shohim këtë vit në mënyrë që njerëzit mund të ndërtojnë një të ardhme të mirë për veten dhe për fëmijët e tyre. Ne kujdesimi për kohezionin në Evropë dhe kjo nënkupton gjetjen e një bazë të përbashkët për përparim edhe në Kosovë, si pjesë të Evropës”, ka thënë Apostolova.
Ajo mes tjerash tha se është i domosdoshëm stabiliteti, zhvillimi politik, ekonomik dhe social. Duke përmendur kështu investimet e BE-së në Kosovë për të realizuar këto prioritete.

“Nuk ka stabilitet dhe përparim pa sigurinë e vendeve të punës, arsim të mirë, ambient te pastër dhe të sigurt. Autoritetet duhet të krijojmë klimë për ndërmarrësi dhe investime, të sigurojnë arsim cilësor dhe siguri ligjore dhe të tregojnë kujdes për shëndetin e njerëzve duke u kujdesur për mjedisin. BE-ja investon gati 100 milionë euro në vit në Kosovë për të bërë realitet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe një sundim të forte të ligjit”, tha ajo.

E kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje vendeve të BE-së që të mbështesin Kosovën në heqjen e vizave, në mënyrë që qytetarët të lëvizin të lirë.

“Shpresa e Kosovës në vendet e BE-së është e madhe dhe në jemi të nderuar që do ta kemi Presidencën Rumune në Kosovë. I ftoj gjitha vendet e Bashkimit Evropian për me iu bashku dhe me e mbështetë Kosovën, që qytetarëve tanë t’iu ofrohet liberalizimi i vizave”, tha Haradinaj.

Ai mes tjerash ka falënderuar Qeverinë Rumune për hapjen e Presidencës Rumune në Kosovë në muajt në vazhdim.

Back to top button