“Open Ballkan” nuk i grind Shkupin e Prishtinën, dy qeveritë nënshkruajnë 11 marrëveshje bashkëpunimi

Gjersa po prisnin jashtë, nuk kujdeseshin për mbrojtjen shëndetësore. Maskat i vendosën kur erdhën kolegët ministra nga Kosova.
Më pas u duk kryeministri Zoran Zaev, që me nderimet më të larta shtetërore e priti homologun e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Kjo i parapriu mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, ku u nënshkruan 11 marrëveshje dhe memorandume për infrastrukturë, diasporë, energjetikë, ekonomi, turizëm, siguri, inovacioneve dhe zhvillimit teknologjik.
Zaev e Kurti nuk kanë asnjë kundërshti kur bëhet fjalë për bashkëpunime dypalëshe në të gjitha këto fusha, por ajo që i dallon është nisma “Ballkan i Hapur”. Kurti mbetet kundër iniciativës ku tash për tash bëjnë pjesë Shkupi, Tirana e Beogradi, e Zaev thotë se e respekton vendimin.
“Për çështjen e Ballkanit të Hapur, si kryeministra kemi qëndrime të ndryshme por kjo nuk është pengesë që të bashkëpunojmë shkëlqyeshëm sepse e kemi për obligim t’u shërbejmë qytetarëve. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, i ndërton qëndrimet e saj dhe ne i respektojmë ato. Besoj shumë se Ballkani duhet të ketë dialog, bisedime dhe të arrijë marrëveshje”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Mbledhja e sotme e dy qeverive është dëshmi se duam sa më shumë bashkëpunim dhe marrëveshje u shpreh kryeministri Albin Kurti, por duke shtuar se orientimi i Kosovës është kah Bashkimi Evropian, andaj mbështesin nismat që vijnë vetëm prej Unionit.
“Si Republikë e Kosovës ne mbështesim të gjitha iniciativat rajonale në të cilat e kemi Bashkimin Evropian e të cilat janë nga Bashkimi Evropian. Natyrisht që të gjithë këto marrëveshje që i kemi nënshkruar, asnjëra prej tyre nuk do të mund të cenohet në zbatim pavarësisht ndonjë dallimi mund ta kemi”, u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ndër marrëveshjet e nënshkruara është edhe ajo për lidhjen e dy autostradave në Bllacë, marrëveshje për studim fizibiliteti për rrugën Prizren-Tetovë, për të cilën u tha se do të formohet komision i përbashkët, marrëveshje për vendosjen e pikave të përbashkëta kufitare si dhe për projekt të përbashkët skijimi që do ta lidhë Brezovicën dhe Kodrën e Diellit.
Deri më tash dy vendet kanë pasur 42 marrëveshje e memorandume të firmosura, që bashkë me 11 të sotmet e çojnë në 53 numrin total të tyre. Vetëm në 2020-tën mes Maqedonisë dhe Kosovës ka pasur shkëmbim tregtar prej 305,7 milionë dollarë, ndërsa vetëm në tremujorin e parë të 2021-shit shkëmbimi është 130,2 milionë dollarë, gjersa pritet që deri në fund të vitit të kalohet shuma e 400 milionë dollarëve shkëmbim tregtar./TV21

Back to top button