Opinioni i Komisionit të Venecias do të ofrojë zgjidhje të qarta për vetingun

Instituti i Kosovës për Drejtësi beson se opinioni i Komisionit të Venecias do të ofrojë zgjidhje të qarta se si duhet të zhvillohet procesi i vetingut, duke respektuar parimet e sundimit të ligjit dhe të drejtat e njeriut.
Gzim Shala, hulumtues në IKD, ka thënë për rtv21.tv se konsiderojnë se është shumë pozitive fakti që Ministria e Drejtësisë ka kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias lidhur me vetingun.
“Bazuar edhe në standardet paraprake që kishte dhënë Komisioni i Venecias lidhur me procesin e vetingut në vende të tjera, ne besojmë se opinioni i Komisionit të Venecias do të ofrojë zgjidhje të qarta se si duhet të zhvillohet procesi i vetingut, duke respektuar parimet e sundimit të ligjit dhe të drejtat e njeriut”, ka thënë ai.
Në RTV21, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se më 17 maj do të presin raportuesit e Komisionit të Venecias që të vijnë në Kosovë, për t’u takuar me nivelet e larta në vend, sistemit të drejtësisë, Kuvend e shoqëri civile.
Sa i përket kësaj, Shala ka thënë se IKD-ja dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile paraprakisht janë takuar me përfaqësues të Komisionit të Venecias, por nëse do të kenë thirrje të re, do të takohen përsëri.
“Natyrisht, nëse kemi një thirrje të re, ne do të takohemi përsëri me të njëjtit ku do të paraqesim qëndrimet tona lidhur me procesin e vetingut, të cilat qëndrime i kemi paraqitur vazhdimisht deri më tani”, ka thënë Shala.
Më 17 qershor do të jetë seanca e Komisionit të Venecias, ku do të votohet opinioni për vetingun.
Vetingu në drejtësi është një proces që shërben për përjashtimin e zyrtarëve që nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe në këtë mënyrë, të rikthehet besimi i publikut në institucionet e drejtësisë./21Media

Back to top button