​Opozita fajëson Kurtin për dështimin e mbledhjes së dy qeverive

Opozita në Kosovë po fajëson kryeministrin Albin Kurti për dështimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Kosovë-Shqipëri. Sipas Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryeministri Albin Kurti po humb çdo aleat dhe mik të Kosovës. PDK dhe LDK shprehën shqetësimin se raportet Kurti-Rama mund të ndikojnë në përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Në anën tjetër, në Lëvizjen Vetëvendosje, partinë në pushtet, fajin për dështimin e mbledhjes së përbashkët ia adresojnë kryeministrit Rama.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë për KosovaPress se Kurti po i largon aleatët dhe miqtë, në momentin kur i duhen vendit më së shumti.

Megjithatë, ai shtoi se Kurti dhe Rama duhet të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje për të ecur përpara në thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri.

“Më vjen keq që për shkak të qëndrimeve egocentrike të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes po e humbin çdo mik të Kosovës. Sigurisht se ata janë prapë miq të Kosovës, por në këtë kohë kur po qeverisë Albin Kurti e gjithë bota po largohet nga mbështetja ndaj Kosovës, në kohën kur kemi nevojë më shumë për miq….Në këtë drejtim uroj që të ulen të dy kryeministrat i Kosovës dhe Shqipërisë dhe të gjejnë një rrugë zgjidhje. Meqenëse Albin Kurti nuk është i gatshëm që si partner t’i ketë edhe partitë politike në Kosovë, shpresoj që së paku të gjejë një mirëkuptim me kryeministrin Rama, i cili na mbështet në secilin institucion ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Anulimin e mbledhjes së përbashkët të qeverive, Kosovë-Shqipëri e sheh shqetësuese edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

“Ne e kemi pa që nga fillimi se Kurti dhe Rama nuk kanë pas raporte të mira. Kryeministri Kurti përmes arenës ndërkombëtare ka pasur probleme edhe me shtetet fqinje dhe sidomos me Shqipërinë. Por, qeveritë janë të përkohshme, ndërsa marrëdhëniet tona Kosovë-Shqipëri janë të përhershme. Kjo është shqetësuese për vendin, për arsye se një shtet që na ndihmon neve në arenën ndërkombëtare dhe mos të takohemi është shqetësim shumë i madh për të gjithë qytetarët e Kosovës”, theksoi Krasniqi.

Por, ndryshe e vlerëson deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, e cila ka thënë se Kosova do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Ajo kërkon nga Shqipëria të mbështetë Kosovën dhe jo të jetë në anën e Serbisë për situatën në veri.

“Është shumë keq nga ana e kryeministrit të Shqipërisë që të bëhet anulimi i mbledhjes së dy qeverive në këtë mënyrë të njëanshme, duke ditur se mbledhjet e tilla janë ndërmarrje e madhe. Aty organizohen të gjitha ministritë e linjës dhe planifikohen marrëveshje për t’u nënshkruar. Në këtë rast ishin planifikuar 13 marrëveshje, të cilat do të nënshkruheshin në fushën e arsimit, shëndetësisë, kulturës dhe drejtësitë. Mirëpo, për fat të keq kryeministri Rama vendosi që të anulojë këtë mbledhje që është gabim…Tani do të shohim si të vazhdojmë tutje, por Kosova gjithmonë ka qenë e përkushtuar dhe do të mbetet për të thelluar marrëdhëniet e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri. Ne jemi dy shtete të të njëjtit komb dhe nëse nuk bashkëpunojmë në rajon, nuk di si të vazhdohet tutje. Ne presim që kryeministri Rama të reflektojë dhe nëse e ka bërë për shkak të ngjarjeve të fundit në Kosovë, atëherë kjo është gabim më i madh. Rama do të duhej të ishte në anën e Kosovës dhe jo në anën e Serbisë e cila po destabilizon Kosovën”, theksoi deputetja e mazhorancës.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive, Kosovë-Shqipëri. Ai ka thënë se anulimi ka ndodhur nga homologu i tij, Edi Rama dhe sipas Kurtit, një gjë e tillë është e paarsyeshme, derisa ka shtuar se mbledhjet e dy qeverive nuk mund të zëvendësohen me takime të kryeministrave.

Mbledhja e dy qeverive, Kosovë-Shqipëri, ishte planifikuar të mbahej sot në qytetin e Gjakovës.Anulimi i saj është bërë i ditur mbrëmë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një konference të jashtëzakonshme për media. Ai ka thënë se i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti një tjetër format takimi. Rama ka deklaruar ka thënë se nuk mund të mbahet takimi i dy qeverive në situatën kur sipas tij “Kosova po digjet në reputacionin e saj ndërkombëtar me ata që e krijuan si shtet”.

Back to top button