Opozita i uron të gjithë besimtarëve krishterë Krishlindjet

Hamza: Urime Ipeshkvisë së Kosovës dhe të gjithë besimtarëve katolikë Krishlindjet
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, sonte ka marrë pjesë në pritjen solemne për Festën e Krishtlindjes në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.
Hamza ka thënë se së bashku festojmë e punojmë për një të ardhme me ma shumë mundësi, drejtësi dhe mirësi për të gjithë.
Ai ua ka uruar Krishtlindjen, Ipeshkvisë së Kosovës dhe të gjithë besimtarëve katolikë.
“Në këtë kohë të veçantë të vitit, ndërkohë që jemi mbledhur në pritjen solemne për Festën e Krishtlindjes në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, shpreh mirënjohje për mundësinë që t’iu shërbejmë të gjithë qytetarëve dhe për shoqërinë që e kemi ndërtuar. Së bashku festojmë e punojmë për një të ardhme me ma shumë mundësi, drejtësi dhe mirësi për të gjithë. Urime Ipeshkvisë së Kosovës dhe të gjithë besimtarëve katolikë. Shumë lumturi në këto Krishtlindje dhe gjithmonë!”, ka shkruar Hamza në Facebook.
Haradinaj uron festën e Krishlindjeve shpreh bekime për çdo shtëpi me paqe dhe lumturi
Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar festën e Krishlindjeve besimtarëve krishterë.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka shprehur bekime për çdo shtëpi me paqe dhe lumturi.
“Në frymë të ngrohtë dhe festive, pata kënaqësinë që për Krishtlindje të vizitoja familje që janë shembull i mikpritjes dhe bujarisë shqiptare. Në Zllakuqan, kisha kënaqësinë të qëndroj në familjen Kolaj dhe të Simon Perlaskaj, me të cilët ndajmë miqësi që nga koha e lavdisë. Po ashtu, isha në vizitë në Gurrakoc, ku u nderova me mirëpritje në familjet Mirosh Shalës dhe të Prekë Prekaj, ku ndjeva vlerën e traditave tona të çmuara. Pata nderin të qëndroj në këto familje atdhetare dhe ta mbyll ditën në familjen e kandidates për deputete, Marqe Selmanaj bashkë me bashkëshortin Kristën dhe gjithë familjen. Gëzuar Krishtlindjet! Uroj që bekimet e këtyre ditëve të mbushin çdo shtëpi me paqe dhe lumturi!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Abdixhiku: Uroj që festa e Krishlindjeve t’i gjejë të gjitha familjet të mbushura me paqe, dashuri dhe begati
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka uruar festën e Krishlindjeve të gjithë besimtarëve krishterë nga pritja solemne e organizuar nga Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji.
Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka uruar që kjo festë e Krishlindjeve t’i gjejë të gjitha familjet të mbushura me paqe, dashuri dhe begati.
“Si çdo vit, edhe sonte bashkë me Albinën morëm pjesë në pritjen solemne të organizuar nga Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, me rastin e Festës së Krishtlindjes. Nga ambientet e ngrohta të Qendrës “BogdaniPolis” në hapësirën e Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë, përcollëm urimet tona dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë besimtarët e krishterë që sonte e kremtojnë këtë festë. Uroj që kjo Krishtlindje t’i gjejë familjet tuaja të mbushura me paqe, dashuri dhe begati; që momentet e kësaj feste të jenë një kujtesë e rëndësisë së bashkimit dhe mirësisë mes nesh. Shpresoj që drita dhe ngrohtësia e kësaj nate të sjellë harmoni në zemrat tona dhe ta ndriçojë rrugën për një të ardhme më të mirë për vendin tonë. Nga të gjithë ne në LDK, Gëzuar Krishtlindja! Dhe në këtë natë e në këtë festë, le t’i hapim zemrat për një fundvit që sjell shpresë, dhe për një vit të ri me ndryshime të mëdha e jetë më të mirë për të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku. /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?