Opozita kërkon anulim dhe hetim të vendimit për tiketat ngjitëse

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar se është pezulluar vendimi që i detyron qytetarët për të paguar 5 euro për tiketa ngjitëse në automjet me rastin e regjistrimit të veturës.
Ai ka thënë se do të shqyrtohet në hollësi si vendim, derisa ka siguruar se qytetarët nuk do të paguajnë 5 euro.
“Për çështjen e taksës 5 euro për tiketat ngjitëse sapo është marrë vendim që të pezullohet si vendim dhe ta shqyrtojmë në hollësi mënyrën se si ka ardhur deri tek ky vendim. Pra, prej interpretimeve të ndryshme ligjore, duke përfshirë edhe interpretimet dhe trajtimet nga auditori e të gjitha me radhë deri tek momenti i nënshkrimit. Pra, është pezulluar, diçka që mund t’iu siguroj është se qytetarët nuk do t’i paguajnë 5 euro”, ka thënë Aliu.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar që vendimi për pagesën prej 5 euro për tiketën ngjitëse të anulohet në tërësi dhe jo vetëm të pezullohet.
“Ne nuk pajtohemi vetëm me pezullimin e kësaj takse, mendoj që kjo taksë duhet të anulohet. Edhe mënyra edhe krejt procesi i nënshkrimit të kësaj takse e kemi ritheksuar edhe në seancat e kaluara që ka qenë i jashtëligjshëm. Prandaj, siç thotë populli një fjalë popullore na ja kemi zënë qeverisë dorën në xhep të qytetarit, po shyqyr Zotit që nuk e kemi lënë me ja marr paret. Pra, ju kemi zënë me dorë në xhep e ju kemi ndalë”,ka thënë Tahiri.
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, deklaroi se duhet të ketë përgjegjësi publike nga ministri për, siç tha ai, aferë korruptive.
“Të thuhet se po do ta pezulloj sot një akt më mirë ta quajmë kështu shkurt dhe shqip akt hajnie tregon që më të vërtetë dikush është thellë i involvuar në këtë aferë korruptive. Unë po shpresoj që ministri u çua nga seanca të shkojë në Prokurori ta hetojë këtë proces dhe t’i vë para drejtësisë së paku administrative ata të cilët kanë tentuar edhe kanë nënshkruar një marrëveshje korruptive, e pastër korruptive, puro hajni edhe që është për marre për institucionet e Kosovës. Kjo nuk mbulohet kështu, akti më korrekt, më real do të ishte sot dorëheqja për të treguar që unë, ne, qeveria nuk qëndrojmë prapa këtij skandali”, ka thënë Zemaj.
Ndryshe, vendimi për tiketën kishte ngjallur reagime të shumta të partive e të qytetarëve, pasi e konsideronin si barrë shtesë pagesën prej 5 eurove.

Tiketat ngjitëse duhej të vendoseshin në vetura pasi ato ta kalojnë kontrollin teknik./21Media

 
 

Back to top button