Bekë Berisha e quan Kurtin “zotëri Hegel”, qeshin deputetët

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka kritikuar ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, për siç tha ai, mos përkrahje të fermerëve sidomos atyre të cilët u dëmtuan nga vërshimet.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Berisha ka kërkuar nga ministri që të tregojë si do të ndihmohen fermerët.
“Çka ka ndodh me subvencione dhe grante të fermerëve, a je interesuar dhe pse e ndalove ndihmën për ta, është viti i parë pas lufte që bujqit nuk kanë aplikuar për grante edhe që ish dashur të shpërndahen grantet dhe subvencionet për ta… Zoti ministër unë ty kam prit me të pa me çizme duke i vlerësuar dëmet dhe duke i ndihmuar, por ty si duket po të pëlqen zyra, asistentët, kerret e këto që po i bënë, në këto pyetje kam qejf me mu përgjigje ministrat, as ju shokët këtu përballë, por as ‘zotëri Hegel’ por ju dy me tregoni saktë çka ka ndodh me këto sene”, ka thënë Berisha.
Në përgjigjen e tij, ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se janë duke shqyrtuar mundësitë që të rritet përkrahja për fermerët.
“Nuk është e vërtetë që Ministria e Bujqësisë nuk është në përkrahje të bujqve, në vitet e fundit, në pesë gjashtë vitet e fundit, shuma vjetore e përkrahjes për këta fermerë ka variuar prej 23 milionë deri në 25 milionë, ndërsa këtë vit fermerët nga buxheti i këtij viti do të përfitojnë vetëm në kategorinë e subvencioneve 26.3 milionë euro dhe ne jemi duke i shqyrtuar të gjithë mundësitë që të rritet kjo shifër e përkrahjes”, ka thënë Peci.
Megjithatë, deputetit Berisha nuk i ka pëlqyer përgjigja e ministrit.
Ai e ka krahasuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, me filozofin e gjerman, Georg Wilhelm Friedrich Hegel.
“Sa i përket kësaj përgjigjes tuaj zoti ministër i Bujqësisë, unë me pas dashur përgjigje këso ‘kili mili’, ‘fizibiliteti, çfizibilieti’, e kisha vet ‘Hegelin’, ti veç më tregon mu, kur ua qet subvencionet, ku je kanë, çka ke bë praktikisht, unë di kënd e veti për fjalë e këso”, tha Berisha.
Kjo ka shkaktuar të qeshura në Kuvend nga deputetët.

Back to top button